Banka Botërore premton vazhdimin e mbështetjes së projekteve për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës

05/03/2014

Guvernatori  Hamza  ka pritur sot në takim zonjën  Ellen Goldstein  drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin perëndimor dhe zotëri Jan-Peter Olters, drejtor i zyrës së Bankës Botërore për Republikën e Kosovës. Duke i ofruar mirëseardhje  znj. Goldstein dhe krahas njoftimit  mbi gjendjen aktuale në sektorin financiar të vendit e cila është vlerësuar stabile dhe e shëndoshë, Guvernatori  Hamza  ka potencuar  mbështetjen e fuqishme të Bankës Botërore në zhvillimin e deritashëm të BQK-së , të sektorit financiar dhe të sektorëve dhe institucioneve tjera në vendin tonë.
Më tej, Guvernatori Hamza dhe znj. Ellen Goldstein shkëmbyen informacione mbi zhvillimet aktuale ekonomike e financiare në Kosovë, si dhe u diskutua  për mbështetjen shumëdimensionale që Banka Botërore vazhdon t’i japë në zhvillimin ekonomik dhe institucional të Republikës së Kosovës. Guvernatori Hamza  e ka njoftuar znj. Ellen Goldstein   edhe për statusin dhe rëndësinë e projekteve të financuara nga ana e Bankës Botërore me fokus në segmentet përbrenda projekteve për forcimin sektorit financiar dhe infrastrukturës së tregut.
Znj. Ellen Goldstein i ka konfirmuar  Guvernatorit Hamza se Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen e saj për të gjitha fushat të cilat janë me interes për zhvillimin e BQK-së dhe për zhvillimin e sektorit financiar në përgjithësi. Ndërkaq në anën tjetër znj. Goldstein  e ka çmuar  lartë  bashkëpunimin me Bankën Qendrore dhe të gjitha të arriturat në projektet të cilat përkrahen nga asistenca teknike e Bankës Botërore. Ajo theksoi se suksesi i projekteve  të zhvilluara në  Kosovë merret si model për të dizajnuar projektet për vendet e tjera. Në fund Guvernatori Hamza dhe zonja Goldstein u zotuan se BQK-ja dhe Banka Botërore do zgjerojnë edhe më shumë fushat e bashkëpunimit me projekte në të ardhmen .