Banka Qendrore e Republikës së Kosovës implementon sistemin e ri të Regjistrit të Kredive

05/06/2017

Duke filluar nga sot, 5 qershor 2017, Sistemi i Regjistrit të Kredive të Kosovës (RKK) që përdoret nga bankat dhe institucionet mikrofinanciare është zëvendësuar me një sistem të ri. Ky sistem është i zhvilluar sipas standardeve dhe teknologjisë së fundit të fushës së raportimit kreditor. RKK është vënë në funksion për herë të parë në vitin 2006 me qëllim që të ofroj në dispozicion informatat mbi kreditë dhe kredimarrësit për bankat komerciale, institucionet  mikro financiare dhe kompanitë e sigurimeve.
Lansimi i verzionit të ri të RKK-së është si rezultat i punës një vjeçare nga stafi i BQK-së në bashkëpunim të ngushtë me institucionet financiare në Kosovë. Sistemi i ri i RKK-së ka marrë në konsideratë kërkesat e reja në tregun e kredive dhe praktikat më të mira të standardeve ndërkombëtare në fushën e kredive. 
Sistemi i ri i RKK-së siguron më shumë informacione për aktivitetin kreditor. Shtimi i fushave të reja për raportim është bërë duke marrë në konsideratë kërkesat nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), institucionet financiare dhe nga departamente të ndryshme të BQK-së. Informatat e reja ndihmojnë FKGK-në në menaxhimin dhe rregullimin proporcional të rrezikut të përshkallëzuar për produktet dhe shërbimet që ofrohen sipas Ligjit mbi themelimin e FKGK-së. 
Informatat e reja gjithashtu u mundësojnë institucioneve kredi-dhënëse të kenë një pasqyrë më të qartë mbi aftësinë kthyese të klientëve të tyre dhe përgjegjësinë mbi obligimet financiare për çdo kërkues kreditor. Për më shumë, këto informacione do përdoren nga BQK-ja në aspektin e mbikëqyrjes bankare gjatë procesit të monitorimit dhe ekzaminimit. Këto informata i mundësojnë BQK-së të gjeneroj raporte të reja për aktivitetin kreditor dhe të publikoj më shumë tabela për aktivitetin kreditor. BQK-ja planifikon të zgjeroj gamën e statistikave me tabela të reja në bazë të shumë parametrave, si p.sh. kreditë e reja përgjatë periudhave, numri i kredi-marrësve të rinj, numri i kredive në bazë të komunave, kreditë e aprovuara për bizneset në pronësi të grave, kreditimi i bizneseve në bazë të madhësisë së biznesit, kreditimi i bizneseve sipas sektorëve, etj. 
Sistemi i ri i RKK-së mundëson zhvillimin e “web-service-ve” përmes të cilave mund të realizohet ndërlidhja e RKK-së me sistemet e institucioneve kredi-dhënëse. Zgjerimi i funksionaliteteve përmes të cilave është mundësuar hulumtim i përnjëhershëm i një vëllimi të madh të raporteve kreditore. Me këtë rast është avancuar procesi për industrinë kredi-dhënëse në aspektin e monitorimit të rregullt të portfolios kreditore konform rregullës për menaxhimin e rrezikut kreditor.