Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka publikuar Raportin e Stabilitetit Financiar Nr.6

14/12/2014

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka publikuar Raportin e Stabilitetit Financiar nr.6, i cili pasqyron zhvillimet dhe stabilitetin e  sektorit financiar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014.   
Raporti i Stabilitetit Financiar synon të informojë publikun e gjerë, profesionistët dhe autoritetet vendimmarrëse mbi zhvillimet në sektorin financiar, me fokus të veçantë në sektorin bankar, duke identifikuar brishtësitë dhe rreziqet për stabilitetin e këtij sektori. Raporti pasqyron një analizë të detajuar rreth zhvillimeve në aktivitetin, performancën, rreziqet dhe infrastrukturën financiare në Kosovë. Po ashtu, duke pasur parasysh se sektori financiar ka një lidhshmëri të lartë edhe me sektorët tjerë, ky raport pasqyron edhe zhvillimet kryesore në ekonominë globale dhe sektorët tjerë të ekonomisë së vendit me qëllim të identifikimit të rreziqeve të mundshme me të cilat mund të ballafaqohet sektori financiar. 
Raporti i Stabilitetit Financiar filloi të publikohet në baza të rregullta vjetore që nga vitit 2010, ndërsa nga viti 2014 publikohet dy herë në vit. Edicioni i fundit, si dhe edicionet e mëhershme të Raportit të Stabilitetit Financiar mund të shkarkohet në faqen e internetit të BQK-së.