18/07/2013
Banka Qendrore në bashkëpunim më Bankën Botërore dhe në partneritet me MTI-në kanë organizuar në Prishtinë Konferencën e përbashkët më rastin e lansimit të strategjisë së titulluar “Mbrojtja e Konsumatorit dhe Edukimi Financiar në Kosovë-Rruga Drejt Zhvillimit".
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues nga industria bankare, financiare ajo e sigurimeve , jeta akademike dhe të institucioneve të tjera që operojnë në Kosovë.
Në fjalën e tij Guvernatori Hamza shprehu falënderimin për pjesëmarrësit e shumtë të kësaj konference dhe ndër të tjera potencoi “Në mjedisin e sotëm, kur të gjithë jemi dëshmitarë të pasojave që ka sjellë kriza financiare globale dhe së fundmi në Evropë, çështja e mbrojtjes së konsumatorit gjithnjë e më shumë zë një rol të veçantë në agjendën e rregullatorëve por edhe institucioneve financiare. Aq më tepër që sektori i shërbimeve financiare ka një peshë të fuqishme në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës, ndërtimin e infrastrukturës vitale dhe zhvillim të qëndrueshëm për Kosovën” ,potencoi Guvernatori, duke shtuar rëndësinë e kësaj strategjie për vet faktin se kemi të bëjmë me shërbimet dhe produktet e sektorit financiar që prekin jetën e secilit qytetar të Kosovës. Ai po ashtu shfaqi mirënjohjen për gatishmërinë e Bankës Botërore për përkrahjen që i ka ofruar Bankës Qendrore dhe institucioneve tjera relevante në ndërtimin e një tregu financiar, që trajton konsumatorët në mënyrë të drejtë, inkurajon përfshirjen financiare dhe ndihmon qytetarët në përdorimin efektiv të shërbimeve financiare. Për më shumë kliko fjala e guvernatorit.
Ndërkaq në fjalën e saj zv/kryeministrja Mimoza Kusari Lila theksoi rëndësinë e veçantë, që paraqet në çdo shoqëri mbrojtja e konsumatorit e cila është edhe komplekse dhe komponent shumë e rëndësishme në ecurit dhe kahet e zhvillimit ekonomik e shoqëror. Gjithnjë sipas zëvendëskryeministres Kusari –Lila , avancimi dhe zgjidhja e problemeve të konsumatorëve është detyrim ligjor, institucional dhe qytetar. “Ne po punojnë në forcimin e mekanizimit mbrojtës të konsumatorit. Rrjedhimisht të një garancie shoqërore që të gjitha produktet dhe artikujt që konsumatorët dëshirojnë të blejnë të jenë të sigurta në tërë tregun e Kosovës , duke shtuar se rregullimi i kësaj fushe, do të mbështetet në tri shtylla kryesore: shëndeti, siguria dhe mbrojtja e të drejtave të konsumatorit”, potencoi ndër të tjera zëvendëskryeministrja Kusari Lila tha Kusari-Lila.
Ndërsa përfaqësuesi rezident i BB-së për Kosovë z. Jan Peter Olters, u ndal në rëndësinë dhe rolin e zbatimit të reformave për të drejtat e konsumatorëve të sektorit bankar. Ai me këtë rast nënvizoi rëndësinë e strategjisë që po lansohet duke shtuar se hartimi i saj është një element kyç i BQK-së, për të zhvilluar një sektor financiar modern , efiçient dhe të drejtë. Këto masa që po ndërmerren për të përmirësuar shkallën e mbrojtjes së konsumatorit i ndihmojnë familjeve për të krijuar besimin e nevojshëm, për zhvillimin e tregut financiar, funksional, modern, konkurrencën e drejtë dhe inovacionet financiare. Për të eliminuar praktikat mashtruese dhe ekonominë informale ”, theksoi ndër të tjera z. Olters . Po gjatë zhvillimeve të kësaj konference BQK-ja dhe MTI-ja nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit lidhur me mbrojtjen e konsumatorëve në sektorin financiar dhe trajtimin e ankesave të përdoruesve të shërbimeve financiare. Memorandumi u nënshkrua nga Guvernatori Bedri Hamza dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja znj. Mimoza Kusari Lila. Për rolin e strategjisë kanë prezantuar edhe folës tjerë gjatë zhvillimit të kësaj konference. Lidhur rezultatet e mbrojtjes së konsumatorit dhe diagnostikimit për edukim financiar në Kosovë me theks të veçantë për të gjeturat dhe rekomandimet kyçe ka prezantuar ekspertja e Bankës Botërore Tamanna Talukder. Ndërkaq për rëndësinë e mbrojtjes efektive të konsumatorit dhe përkrahjen për Edukim Financiar ka folur z. Tomas Prouza , specialist i lartë i sektorit financiar të Bankës Botërore. Ndërkaq nga BQK-ja sa i përket rolit të strategjisë për mbrojtjen e konsumatorit ka prezantuar znj. Shkendije Himaj , këshilltare e lartë e Bordit Ekzekutiv.