27/07/2012
Prishtinë, Korrik 27, 2012 – Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ka autorizuar stafin e BQK-së që të ekzaminojë aktivitetet financiare të palicencuara nga ana e BQK-së.
Në këtë kontekst, ekipi i ekzaminerëve të BQK-së, i asistuar nga ana e Policisë së Kosovës ka vizituar sot në mëngjes dy lokacione nën dyshimin se aty zhvillohet aktivitet financiar i palicencuar nga ana e BQK-së.
Me rastin e ekzaminimit të lokacionit në territorin e komunës së Graçanicës, ekzaminerët kanë vërtetuar se institucioni financiar me emrin “Dunav banka A.D.Zvečan” po zhvillonte aktivitet financiar të palicencuar. Në të njëjtën kohë, me rastin e ekzaminimittë të lokacionit në territorin e komunës së Shtërpces, ekzaminerët kanë vërtetuar se institucioni financiar me emrin “Dunav banka A.D.Zvečan” po zhvillonte aktivitet financiar të palicencuar.
Procesi i ekzaminimit në të dyja lokacionet është përfunduar pa ndonjë ekces.Në të dyja lokacionet janë sekuestruar një sasi materiali dhe pajisjesh me të cilat zhvillohej aktiviteti i palicencuar dhe i njëjti është vënë nën ruajtje të BQK-së dhe do të përdoret për procedim përkatës ligjor.
Siç dihet, sipas legjislacionit në fuqi, asnjë person në territorin e Republikës së Kosovës nuk mund të merret me veprimtari bankare apo financiare pa licencë të lëshuar nga BQK-ja e cila ka përgjegjësi ekskluzive ligjore për rregullimin, licencimin, regjistrimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha institucioneve financiare në Republikën e Kosovës.