24/01/2011
BQK-ja, megjithëse institucioni më i ri në rajon, po dëshmon se është në gjendje të shërbejë si shembull i mirë edhe për bankat e tjera qendrore me histori më të gjatë veprimi.
Në këtë kontekst, krahas certifikimit ndërkombëtar të progresit të arritur në fushën e statistikave të prodhuara nga ana e BQK-së, ka filluar të njihet ndërkombëtarisht edhe ekspertiza e vetë stafit të BQK-së në këtë fushë. Kështu, pas përfshirjes së paradokohshme të tij në listën e ekspertëve të FMN-së për statistika monetare-financiare, z. Mentor Geci, Drejtor i Drejtorisë se Statistikave në BQK, së fundmi është përzgjedhur të jetë pjesë e misionit të FMN-se për statistika monetare financiare në Bankën Qendrore të Bosnjës e Hercegovinës. Ky është rasti i parë ku FMN-ja angazhon ekspertë nga Kosova në këtë fushë gjë që flet për një sukses të shkëlqyeshëm të BQK-së, përkatësisht kalimin e saj nga marrësi i asistencës teknike për statistika monetare e financiare në dhënës të kësaj asistence për të tjerët.
Lidhur me këtë sukses të BQK-së u shpreh edhe z.Gani Gërguri, ushtrues detyre i Guvernatorit,duke nënvizuar se “Qysh prej vitit 2000, na kërkohej të konfirmonim përmbajtjen e misioneve të shumta të FMN-së në BQK dhe këtë e bënim me entuziazëm të veçantë dhe vizion të pastër. Kërkesa që tash t’i konfirmojmë FMN-së lejimin e pjesëmarrjes së stafit tonë në misione në vende të tjera paraqet një ndjenjë të mrekullueshme krenarie për menaxhmentin dhe stafin e BQK-së në tërësi”.
Përndryshe, përpilimi i statistikave monetare e financiare të BQK-së daton qysh nga viti 2000, duke shënuar avancim dhe proaktivitet të vazhdueshëm, që u kurorëzua me publikimin e këtyre statistikave në FMN në të njëjtën kohë kur edhe shteti ynë u anëtarësua në këtë institucion.