07/06/2013
Shoqata për Telekomunikim Financiar Ndërbankar Mbarëbotëror (SWIFT) ka caktuar një kod të veçantë shtetëror për t’u përdorur në lidhje me identifikimin e institucioneve financiare të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, mbi bazën e këtij kodi të veçantë shtetëror, SWIFT-i ka nisur procesin e krijimit të kodit të identifikimit ndërkombëtar – BIC të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) dhe të lidhjes së saj në sistemin e SWIFT-it. Rrjedhimisht, do të bëhet edhe riemërtimi i kodeve të identifikimit ndërkombëtar të bankave komerciale vendore të lidhura në sistemin e SWIFT-it në bazë të kodeve të shteteve të huaja si dhe do të mundësohet lidhja në sistemin e SWIFT-it edhe e bankave të tjera komerciale vendore.
Sistemi i SWIFT-it sot është sistemi parësor i komunikimit ndërkombëtar mes institucioneve financiare. Përdorimi i kodit unik shtetëror në lidhjen e BQK-së dhe të bankave komerciale vendore në sistemin e SWIFT-it do të afirmojë ndërkombëtarisht institucionet financiare të vendit si dhe do të lehtësojë kryerjen e transaksioneve ndërkombëtare të qytetarëve dhe personave juridikë të vendit. Po ashtu BQK-së do t’i mundësohet ushtrimi më efikas i funksioneve të mbikëqyrjes së institucioneve financiare vendore, duke përfshirë edhe luftimin e shpërlarjes së parave dhe të financimit të terrorizmit.
Vendimi i SWIFT-it për përdorimin e një kodi të veçantë shtetëror për Republikën e Kosovës u mor si përgjigje në kërkesën përkatëse të BQK-së, e cila u mbështet nga bankat qendrore të vendeve të grupit G-10 si dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.