Delegacioni i BQK-së po merr pjesë në takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Washington D.C

22/09/2011

Në kuadër të delegacionit të Republikës së Kosovës, Guvernatori i BQK-së, z.Gani Gërguri i shoqëruar nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, z.Gazmend Luboteni, është duke marrë pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Washington D.C.
Krahas pjesëmarrjes në seancën plenare të Bordit të Guvernatorëve të FMN-së, Guvernatori Gërguri do të ketë takime me zyrtarë përkatës të FMN-së dhe të BB-së të involvuar në projekte mbështetëse për avancimin e mëtejmë të BQK-së dhe të sektorit financiar në tërësi. Gjithashtu, Guvernatori Gërguri do të ketë takime edhe me zyrtarë të Departamentit të Thesarit Amerikan të cilët janë duke ofruar asistencë teknike në avancimin e infrastrukturës së tregut financiar në Republikën e Kosovës.