07/10/2011
Guvernatori Gërguri ka pritur në takim drejtoreshën menaxhuese në Fondin Evropian për Evropën Juglindore - EFSE (anglisht: European Fund for Southeast Europe), znj. Sylvia Wisniwski, e cila me këtë rast ia dorëzoi Guvernatorit një kopje të Studimit mbi shkallën e ngarkueshmërisë me borxhe të kredimarrësve të vegjël në Kosovë. Fillimisht, znj.Wisniwski elaboroi mbi qëllimet e këtij studimi - matja e ngarkueshmërisë, faktorët në anën e ofertës dhe të kërkesës që shpiejnë kah stër/ngarkueshmëria si dhe masat e mbrojtjes nga stërngarkueshmëria eventuale e kredimarrësve të vegjël. Më pastaj, ajo nënvizoi se shumica e gjetjeve në këtë studim janë mjaft inkurajuese si për shembuill numri i kontratave kreditore për një kredimarrës, koncentrimi solid i garantuesve, përqindja e stërngarkueshmërisë, etj. Në veçanti, ajo nënvizoi rolin pozitiv të Regjistrit të Kredive të Kosovës.
Duke e falenderuar EFSE-n për kontributin që po jep në zhvillimin e sektorit financiar në Kosovë në përgjithësi, Guvernatori Gërguri nënvizoi në veçanti rëndësinë e këtij studimi për pasurimin e mëtejmë të profilit të sistemit të paralajmërimit të hershëm i cili tashmë në baza të rregullta përpilohet në BQK.
Përndryshe, Kosova është vendi i dytë, pas Bosnjës e Hercegovinës, ku është realizuar një studim i tillë. Studimi pritet të prezantohet gjatë këtij muaji para Shoqatës së institucioneve mikrofinanciare të Kosovës, Shoqatës së bankave të Kosovës dhe akterëve tjerë të cilët kanë marrë pjesë në hartimin e tij.