Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është një institucion publik i pavarur dhe objektivi parësor i saj është nxitja dhe ruajtja e një sistemi të qëndrueshëm financiar si dhe një sistemi efikas të pagesave
13/04/2023
Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i kryesuar nga U.d Guvernatori, Bashkim Nurboja dhe Nora Latifi Jashari UD Zëvendësguvernatore për Operacione Bankare po marrin pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që po mbahen në Uashington të SHBA-ve.
Delegacioni i BQK-së do të ketë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet rreth zhvillimeve të fundit ekonomike, fiskale dhe financiare, si dhe pritjet për vitin 2023.
Në takimet që do të zhvillohen deri më 15 prill, gjithashtu, do të diskutohet edhe për zbatimin e rekomandimeve nga raportet e mëparshme të asistencave teknike, si dhe shprehjet e interesit për përkrahje në të ardhmen.
Takimet vjetore të organizuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, mbledhin bankierë qendrorë, ministra të financave dhe të zhvillimit ekonomik, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje me rëndësi globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, zhdukjen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e ndihmës.
Copyright © 2014-2024 BQK. Të gjitha të drejtat e rezervuara