Fillimi i përdorimit të kodeve SWIFT të institucioneve financiare të vendit me identifikim të duhur shtetëror

06/12/2013

Fillimi i përdorimit të kodeve SWIFT të institucioneve financiare të vendit me identifikim të duhur shtetëror

Më 9 dhjetor 2013 do të fillojë zyrtarisht lidhja në SWIFT dhe përdorimi i kodit SWIFT të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.  SWIFT kodi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është CBRKXKPR.  Po më 9 dhjetor do të fillojë përdorimi i kodeve të reja SWIFT të bankave të Kosovës që tashmë janë të lidhura drejtpërdrejt në SWIFT (ProCredit Bank – MBKOXKPR, Raiffeisen Bank – RBKOXKPR, TEB – TEBKXKPR, NLB Prishtina – NLPRXKPR, dhe Turkiye IS Bankasi Kosova – ISBKXKPR).  Këto SWIFT kode i identifikojnë institucionet përkatëse si institucione të Republikës së Kosovës.  Njoftimet përkatëse mund t’i gjeni në faqet e internetit të këtyre bankave si dhe sipas nevojës mund t’i kontaktoni drejtpërdrejt.

Nga 9 dhjetori 2013 vetëm kodet SWIFT të cekura mund të përdoren për identifikim të institucioneve përkatëse në sistemin e SWIFT-it.  Andaj, është me rëndësi që palët jashtë Kosovës që urdhërojnë pagesa drejt llogarive të hapura në këto institucione të jenë në dijeni të këtyre kodeve SWIFT.  Për një informim të këtillë pos BQK-së dhe bankave të përmendura, është angazhuar edhe vetë SWIFT-i.

Përndryshe, deri në fillim të vitit të ardhshëm është paraparë lidhja në SWIFT edhe e bankave komerciale të Kosovës që nuk kanë qenë të lidhura në SWIFT deri më tani.