Fituesit e çmimit për ekonomistët e rinj

20/12/2012

Me qëllim të promovimit të aktivitetit hulumtues shkencor të ekonomistëve të rinj në Kosovë, BQK, në gusht 2012, shpalli të hapur garën për çmimin e studimit më të mirë nga ekonomistët e rinj, ndërsa më 19 dhjetor 2012, me rastin e prezantimit të numrit të tretë të Raportit të Stabilitetit Financiar, u shpallën edhe fituesit e këtij çmimi.
Në këtë garë, me vendin e parë u vlerësua Anera Alishani me studimin e saj “Central Bank Independence and its Effect on Money Market Stability”. Autorja ka trajtuar një temë me shumë rëndësi për vendet e tranzicionit dhe ekonomitë në zhvillim duke u fokusuar konkretisht në një segment të tregut të parasë, atë të depozitave bankare dhe efektin qe pavarësia  e bankës qendrore  ka në rritjen e depozitave. Marrëdhënia ndërmjet pavarësisë së bankës qendrore dhe rritjes së depozitave është  testuar në mënyrë empirike, duke shfrytëzuar metodologji të avancuar kërkimore. Modeli empirik i përdorur në këtë studim përfshinë dhjetë vende të tranzicionit, me të dhëna vjetore për një periudhë prej dhjetë viteve. Autorja bartë titullin Master i Shkencave nga Staffordshire University në fushën Ekonomiksi për Analiza Biznesi si dhe titullin Master i Shkencave në Menaxhment dhe Informatikë nga Universiteti i Prishtinës.
Me vendin e dytë është shpërblyer Yllka Hysaj për studimin me titull “Consumer Buying Behaviour Changing Patterns Case Study: Financial Institutions in Kosovo”. Autorja ka trajtuar një temë me rëndësi për sektorin bankar të Kosovës me fokus te veçantë në produktet dhe shërbimet e ofruara nga bankat e Kosovës vis-a-vis internetit. Studimi është përgatitur duke shfrytëzuar metodë kualitative kërkimore si rast studimor dhe rezulton me rekomandime interesante lidhur me veprimet që bankat komerciale duhet te ndërmarrin me qëllim të avancimit të produkteve të tyre të bazuara në internet. Autorja është studente e vitit të tretë ne drejtimin financa dhe kontabilitet ne Universitetin e Sheffieldit në Selanik, Greqi.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës njofton të gjithë ekonomistët e rinj se ky çmim tradicional për punimet me karakter kërkimor-shkencor do të ndahet edhe në vitin e ardhshëm.