Fjalimi i Guvernatorit Gërguri me rastin e publikimit të numrit të dytë të Raportit të Stabilitetit Financiar të Kosovës, më 19 dhjetor 2011, BQK

19/12/2011

Fjalimi i Guvernatorit Gërguri  me rastin e publikimit të numrit të dytë të Raportit të Stabilitetit Financiar të Kosovës, më 19 dhjetor 2011, BQK.

I nderuar Ministër Hamza,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues tjerë të institucioneve vendore e ndërkombëtare
Të nderuar mysafirë dhe kolegë,
Zonja dhe zotërinj,

Pikërisht para një viti Banka Qendrore e Republikës së Kosovës publikoi numrin e parë të Raportit të Stabilitetit Financiar. Sot, po prezantojmë numrin e dytë  të këtij Raporti, i cili pasqyron zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare në vend dhe më gjerë.
Informimi i rregullt i publikut dhe institucioneve vendimmarrëse mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend paraqet një aktivitet të rëndësishëm të BQK-së. Ngjarjet si kjo e sotmja kanë për qëllim të ofrojnë mundësi edhe për nxitjen e debatit dhe këmbimit të pikëpamjeve mbi zhvillimet ekonomike në vend dhe sfidat për të ardhmen.
***
Ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë stabile duke reflektuar normë pozitive të rritjes. Rritja e importeve dhe kredisë për sektorin privat reflekton rritjen e kërkesës së brendshme. Konsumi dhe investimet e sektorit privat kanë vazhduar të kenë rol parësor në zgjerimin e aktivitetit ekonomik në vend. Rritja dyshifrore e kredisë bankare, rrjedha stabile e dërgesave të emigrantëve si dhe investimet e huaja bashkë me rritje të theksuar të eksporteve kanë kontribuar për arritjen e normës pozitive të rritjes reale të PBB-së që për vitin 2011 pritet të jetë rreth 5 për qind.
Përkundër faktit se mbulesa e importeve me eksporte po shënon trend rritës, deficiti i llogarisë rrjedhëse (2011: 24 për qind e PBB-së), vazhdon të sfidojë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike të Kosovës,ashtu siç papunësia e lartë vazhdon të mbetet një ndër problemet më serioze për ekonominë e Kosovës. Të dyja këto parashtrojnë nevojën për një dinamikë edhe më të madhe dhe për një “meny” edhe më të pasur të aktivitetit ekonomik i cili do të rezultonte me rritje të prodhimit vendor dhe krijim të vendeve të reja të punës.
Mbështetja e lartë e ekonomisë së vendit në sektorin e tregtisë e bën edhe më të ngadalshëm dhe më sfidues gjenerimin e vendeve të reja të punës. Prandaj, kërkohet një mobilizim ndërinstitucional për të ofruar një ambient sa më të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të reja, qofshin vendore ose të huaja, për të shfrytëzuar sa më mirë mundësitë e mëdha investive që ofron vendi ynë. Struktura e re e popullsisë i ofron Kosovës përparësi të rëndësishme në garën e fortë mes vendeve për të tërhequr sa më shumë investime të huaja, mirëpo nuk duhet lënë anash edhe nevojën për një angazhim edhe më të madh në rritjen e produktivitetit të fuqisë punëtore të vendit dhe në veçanti ngritjes së cilësisë së kapitalit njerëzor.
***
Sektori financiar, në veçanti sistemi bankar, vazhdon të rritet fuqishëm duke shënuar rritje dyshifrore të kredisë dhe depozitave. Në të njëjtë kohë, raporti midis mjeteve likuide dhe mjeteve gjithsej flet për rezerva të forta të likuiditetit në sistem. Derisa kapitalizimi i sistemit bankar mbetet në nivele të larta (mbi 17 për qind), kreditë joperformuese sillen në nivele modeste ( më pak se 6 për qind), ndërsa në të njëjtën kohë fitimi i bankave vazhdon të jetë i fuqishëm.
Sistemi bankar i Kosovës gjatë gjithë kohës ka dëshmuar se është një sistem i qëndrueshëm, madje edhe në kohërat kur sistemet bankare me traditë edhe më të gjatë veprimi janë luhatur nga tronditjet e shkaktuara prej krizës globale. Bankat në Kosovë vazhdimisht kanë mirëmbajtur norma të larta të likuiditetit dhe të kapitalizimit, duke tejkaluar madje edhe kërkesat rregullative të Bankës Qendrore dhe disa nga standardet ndërkombëtare në këtë fushë.
Me rezerva likuiditeti që vazhdimisht tejkalojnë nivelin e rezervës së detyrueshme të kërkuar nga BQK dhe një tregues të mjaftueshmërisë së kapitalit që është dukshëm më i lartë se niveli minimal i kërkuar nga BQK, sistemi bankar i Kosovës demonstron nivel të lartë imuniteti. 
Një stabilitet i tillë i sistemit bankar e bën perspektivën ekonomike të vendit edhe më pozitive dhe më rezistente nga tronditjet që mund të vijnë nga sektori i jashtëm.
Ndërmjetësimi financiar vazhdon të jetë ndër shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit dhe stabilitetit të ekonomisë së vendit. Në veçanti, gjatë periudhës së fundit, bankat komerciale në Kosovë kanë përshpejtuar ritmin e rritjes së kredisë drejt sektorit real të ekonomisë dhe, për dallim nga dy vitet e kaluara, gjatë kësaj periudhe, rritja e nivelit të përgjithshëm të kreditimit kryesisht ishte rezultat i rritjes së kredive për ndërmarrjet, gjë që nënkupton një shfrytëzim të kredive për qëllime më produktive për ekonominë e vendit. Po ashtu, besimi i rritur i publikut në sistemin bankar është shprehur edhe me rritje të vazhdueshme të depozitave në banka, të cilat vazhdojnë të përfaqësojnë burimin kryesor të financimit për aktivitetin e sistemit bankar në vend.
Në kohën kur oferta për fonde në tregjet e jashtme po bëhët gjithnjë e më problematike, rritja e vazhdueshme e depozitave të qytetarëve të Kosovës nëpër banka po përfaqëson një avantazh shumë të rëndësishëm për zgjerimin e qëndrueshëm të aktivitetit kredidhënës në vend. Kjo edhe e bën unik sistemin bankar në Kosovë duke minimizuar kështu nevojën e ekspozimit të tij qoftë në aspektin e huamarrjes/huadhënies ndërkufitare, qoftë në atë të ekspozimit ndërvalutor – ekspozime këto sot mjaft sfiduese për shumë sisteme bankare të vendeve të regjionit dhe më gjerë.
Ndër temat më të debatueshme në Kosovë pa dyshim vazhdon të mbeten normat e interesit, posaçërisht normat e interesit për kredi. Ne konsiderojmë se lartësia e normave të interesit reflekton kushtet dhe perceptimet me të cilat bankat ballafaqohen në ushtrimin e aktivitetit të tyre, ku përfshihen ambienti i përgjithshëm afarist në vend e me theks të veçantë efikasiteti i sistemit gjyqësor, raportimi financiar nga firmat si dhe aftësia e firmave për të bërë planifikime të mirëfillta biznesore që premtojnë një shfrytëzim prudent të kredisë.
Në të njëjtën kohë, konsiderojmë se ka hapësirë që edhe bankat të gjejnë mënyra që sigurojnë një operim sa më efikas, i cili do të çonte drejtë zvogëlimit të shpenzimeve operacionale dhe rrjedhimisht do të zvogëlonte edhe çmimet e produkteve bankare. Në këtë kontekst, ne konsiderojmë se sistemi bankar i Kosovës ka arritur një fazë mjaft të mirë të konsolidimit dhe presim që kjo të shoqërohet me rritje të vazhdueshme të efikasitetit. 
Përveç sistemit bankar, kontribut të çmuar në vazhdimësi kanë dhënë edhe institucionet tjera financiare në vend. Sistemi pensional, gjatë gjysmës së parë të vitit ka shënuar ngritje të performancës në investimet e mjeteve si në aspekt të çmimit për një aksion të Trustit ashtu edhe në kthimin në investime që deri në fund të tetorit ka qenë pozitiv. Sidoqoftë, duke marrë parasysh ecuritë aktuale në eurozonë dhe më gjerë, del se dhjetori do të përcaktojë dukshëm performancën e Trustit për vitin 2011. Është me rëndësi të veçojmë se gradualisht po krijohen kushtet për rritjen e investimeve të Trustit brenda vendit dhe këtu hapin më të rëndësishëm e paraqet fillimi i emetimit të letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës i paraparë për janar të vitit 2012.
Një ritëm i kënaqshëm i zhvillimit ka ndjekur edhe industrinë e sigurimeve në vend, ku ende rol dominues ka sigurimi i përgjegjësisë ndaj palës së tretë. Aktiviteti i sigurimeve vullnetare po shënon zgjerim të vazhdueshëm me çka çdo ditë e më tepër qytetarët e Kosovës po kanë mundësi më të mëdha të shfrytëzimit të shërbimeve që ofron kjo industri dhe kështu të minimizojnë pasojat e mundshme nga ndodhitë e papritura. Një sistem tjetër i rëndësishëm në strukturën e sektorit financiar të Kosovës ka të bëjë me Institucionet Mikrofinanciare, të cilat krahas bankave komerciale, paraqesin një burim të rëndësishëm financimi për ekonominë e Kosovës.
***
Me qëllim të plotësimit të kornizës për një funksionim sa më të sigurt të sistemit bankar dhe mbrojtjes së interesave të depozituesve, në pjesën e parë të vitit 2011, është operacionalizuar Fondi i Sigurimit të Depozitave të Kosovës.
Eshtë miratuar Ligji mbi sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia dhe si rrjedhojë është themeluar Byroja Kosovare e Sigurimeve, ndërsa tashmë është finalizuar edhe Ligji i ri mbi Bankat Komerciale dhe Institucionet Mikrofinanciare si dhe Institucionet Tjera Financiare Jobankare, me çka po përforcohen edhe më tepër kapacitetet rregullative dhe mbikëqyrëse të BQK-së si dhe po avancohet qeverisja e brendshme në institucionet financiare.
Si përgjigje ndaj sfondit të krizës financiare ndërkombëtare, BQK-ja po rishikon dhe azhurnon rregullativën licencuese dhe mbikëqyrëse të sektorit financiar me qëllim të ruajtjes së nivelit të mjaftueshëm të likuiditetit në sistemin bankar për të përballuar tendosjet eventuale nga jashtë.
***
Me gjithë performancën në rritje të ekonomisë në përgjithësi dhe gjendjes së shëndoshë të sistemit financiar të vendit në veçanti, vështirësitë dhe pasiguritë që aktualisht po mbretërojnë në ekonominë e Eurozonës nuk mund të mos paraqesin shqetësim edhe për ekonominë e Kosovës, duke qenë se ekonomia jonë është e vogël dhe e hapur. 
Vështirësitë aktuale në Eurozonë mund të paraqesin vështirësi serioze për ekonominë e vendit tonë, nëse problemet fiskale çojnë drejtë një krize të përgjithshme ekonomike në Eurozonë. Në këto rrethana, ekonomia e Kosovës është kryesisht e ekspozuar në aspektin e investimeve të huaja direkte, të eksporteve dhe dërgesave të emigrantëve. Rritja e zbehtë e paraparë për vendet e Eurozonës në vitin 2012, në veçanti nëse kjo e përfshin edhe Gjermaninë si dhe Zvicrën ka gjasë të zvogëlojë dërgesat e emigrantëve dhe Investimet e huaja direkte dhe me këtë të afektojë edhe rritjen reale të PBB-së për vitin 2012, e paraparë të jetë midis 4 dhe 5 përqind,
Ndërsa, duke pasur parasysh se sistemi bankar ka shkallë të ulët të ekspozimit ndaj sektorit të jashtëm, nuk mund të pritet ndonjë ndikim direkt me përmasa të mëdha në performancën e sistemit bankar të vendit. Megjithatë, nuk duhet injoruar faktin se reflektimet e mundshme negative në sektorin real të ekonomisë së Kosovës, do të mund të ndikonin negativisht edhe në performancën e sistemit bankar të vendit dhe atë para së gjithash përmes dobësimit të aftësisë paguese të kredimarrësve.
Përkundër pasigurive eventuale mbi zhvillimet në ekonominë e vendit, ne theksojmë fuqishëm rëndësinë që ka vazhdimi i kreditimit nga sistemi bankar, që madje edhe mund të zbus implikimet e mundshme negative për ekonominë që mund të vijnë nga jashtë. Sidoqoftë, në kohë kur pasiguritë shënojnë rritje, zgjerimi i kredidhënies duhet bërë me kujdes edhe më të shtuar për sa i përket ruajtjes së cilësisë së kreditimit dhe, në këtë aspekt, BQK-ja mbetet fuqishëm e përkushtuar që të monitorojë për së afërmi nivelin e rrezikut që mund të merret nga ana e institucioneve bankare në vend, në mënyrë që të sigurojë ruajtjen e stabilitetit të këtij sistemi.
Kriza e fundit globale financiare si dhe problemet aktuale me të cilat po ballafaqohet ekonomia e Eurozonës padyshim se kanë ndikuar negativisht edhe në gatishmërinë e investitorëve të këtyre vendeve për të zgjeruar praninë e tyre në Kosovë dhe në vendet tjera të rajonit. Në këtë kontekst, sigurisht se janë ndikuar edhe institucionet financiare, shtimi i të cilave mund të themi se ka stagnuar gjatë periudhës së fundit. Pavarësisht kësaj, BQK së bashku me institucionet tjera relevante në vazhdimësi angazhohet që të promovojë sa më mirë ambientin që ofron Kosova për investitorët financiar dhe investitorët e tjerë në përgjithësi.
Duke pasur parasysh se Kosova shfrytëzon valutën Euro si valutë zyrtare, problemet fiskale me të cilat po ballafaqohen disa vende të Eurozonës po ndiqen me vëmendje të theksuar nga ana e Bankës Qendrore. Ne besojmë se përpjekjet e mëdha që po bëhen nga të gjitha shtetet anëtare të Eurozonës dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare për të zgjidhur sa më shpejtë këto vështirësi do të rezultojnë me tejkalim adekuat të vështirësive aktuale.
***
Nga Raporti që është para jush, por me siguri edhe gjatë prezantimit dhe debatit reth tij, fjala që më së shpeshti do të përmendet do të jetë ajo mbi investimet. Aq sa është përgjegjësi e të gjithë neve që të ndërtojmë një ambient i cili do të jetë atraktiv për investime të të tjerëve, po aq është përgjegjësi e të gjithë neve që çdo investim tonë ta bëjmë poashtu me përgjegjësi. 

Në këtë kontekst, investimi në shkathtësitë dhe njohuritë e punëtorëve nuk ka alternativë, sepse pas çdo institucioni qoftë privat apo publik qëndrojnë njerëzit. Edhe pas këtij Raporti qëndron një ekip i tërë ekspertësh të rinj të dedikuar ndaj institucionit dhe unë jam krenar që jam Guvernator i një institucioni që po zhvillon kulturën e përkushtimit institucional, një institucioni ku njerëzit e tij po shkëlqejnë edhe në arenën e konkurrencës ndërkombëtare si në fushën e punës kërkimore – shkencore, ashtu edhe atë të kompetencës profesionale dhe përfaqësimit ekzemplar të Bankës Qendrore në seminare ndërkombëtare.

Ju falemnderit!