Fjalimi i Guvernatorit te Bankes se Shqiperise z.Fullani

04/11/2009

I nderuar Guvernator Rexhepi,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Është një kënaqësi për mua që marr pjesë në këtë konferencë jubilare, të organizuar në mënyrë kaq të përsosur nga Banka Qendrore e Kosovës, dhe që të jem dëshmitar i progresit të mahnitshëm, që ky institucion ka arritur në një periudhë kohore kaq të shkurtër, por intensive.

Energjia dhe dëshira e personelit vendas për të kontribuuar në historinë e këtij institucioni është kanalizuar në mënyrën e duhur nga vizioni dhe përvoja e mjaft profesionistëve drejtues, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në drejtimin e këtij institucioni gjatë viteve të fundit.

Duke patur parasysh përkushtimin e nivelit drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës për të arritur dhe vepruar në përputhje me standardet më të mira të organizimit dhe eficiencës në punë, duke zbatuar një politikë të qartë dhe afatgjate të investimit në cilësinë e personelit të saj, si dhe duke mbështetur masa që kontribuojnë në ruajtjen e një bashkëpunimi të frytshëm ndër-institucional, jam i sigurtë se kjo histori do të vijojë të jetë e suksesshme.

Dëshiroj gjithashtu, të falenderoj organizatorët për nderin që më dhanë që të flas përpara jush sot, lidhur me një çështje kaq të rëndësishme gjatë vitit të fundit, pas kësaj krize të paprecedentë financiare ndërkombëtare. Duke patur parasysh faktin, se shkaqet dhe pasojat e kësaj krize janë identifikuar dhe diskutuar gjerësisht, në pjesën e parë të fjalës sime do të përqendrohem më tepër në gjetjet kryesore të diskutimit profesional që po zhvillohet në ditët e sotme, me qëllim identifikimin e një përqasjeje të re të mbikëqyrjes financiare.

Jam i sigurtë, se këto aspekte do të elaborohen më tej gjatë punimeve të kësaj konference. Në pjesën e dytë të fjalës sime, do të përpiqem të ofroj informacione më të hollësishme mbi atë që ne, në Bankën e Shqipërisë, po mendojmë si një përqasje të ardhshme të autoriteteve publike dhe të industrisë financiare, në lidhje me masat e nevojshme për forcimin e stabilitetit financiar.

Shumë shkurt, do të doja të përsërisja atë që tashmë është bërë e qartë për të gjithë: kriza e fundit ishte një rrjedhojë e incentivave të gabuara, të cilat mbështetën një zhvillim të çekuilibruar të aktivitetit financiar dhe një vlerësim të gabuar të rrezikut, të çmimvënies dhe të administrimit.

Këto incentiva të gabuara ishin të pranishme jo vetëm në industrinë dhe tregjet financiare, por edhe në bilancet e individëve, bizneseve dhe në mbarë vendet e tjera.

Duke patur parasysh natyrën, përmasat dhe ndikimin e kësaj krize, jo vetëm mbi industrinë dhe tregjet financiare, por edhe mbi ekonominë reale, autoritetet publike në mjaft vende u detyruan të adoptonin masa të shpejta, të koordinuara dhe të jashtëzakonshme, si në fushën e politikës monetare, ashtu dhe në atë fiskale. Bankat qendrore hoqën dorë nga pothuajse çdo kufizim; ato madje, adoptuan disa masa të pazakonta, me qëllim sigurimin e likuiditetit të mjaftueshëm dhe me kosto të ulët për tregjet financiare.

Qeveritë e vendeve shfaqën një përkushtim të madh në drejtim të uljes së rrezikut sistemik, duke shpëtuar institucione të rëndësishme financiare, duke siguruar garanci për kredidhënien ndërbankare, duke rritur kufirin e sigurimit të depozitave të publikut, etj..

Këto masa, të cilat në pjesën më të madhe të herëve ishin të përkohshme, duket se kanë rezultuar të suksesshme në rikthimin e besimit të tregut dhe në orientimin e ekonomisë globale drejt rrugës së përmirësimit gradual të saj.

Duke u fokusuar në tregjet dhe institucionet financiare pas krizës, një numër çështjesh, të njohura më parë por shpeshherë të neglizhuara, janë rishfaqur, duke nxitur kështu reagimin serioz dhe gjithëpërfshirës nga ana e autoriteteve. Mjaft prej këtyre çështjeve lidhen me vetë aktivitetin financiar, ndërkohë që të tjerat lidhen më së shumti me ambientin ekonomik rrethues. 

Mund të thuhet tani, se autoritetet mbikëqyrëse të tregjeve dhe institucioneve financiare janë pjesërisht përgjegjëse për atë që ndodhi. Pavarësisht retorikës, ato nuk arritën të identifikonin dhe kontrollonin rrezikun në industrinë financiare në mënyrën dhe në kohën e duhur.

Këtu mund të përmenden: lehtësimi i kontrollit mbi huatë e marra nga bankat me qëllim financimin e kredive në monedhë të huaj në një juridiksion të caktuar, neglizhimi i treguar ndaj entiteteve me qëllim të posaçëm, të krijuara për të shmangur kërkesat prudente të bilancit financiar etj..

Ka mjaft arsye për këto dobësi dhe sipas mendimit tim, mjaft prej tyre shkojnë përtej kapaciteteve ligjore, logjistike dhe njerëzore të autoriteteve mbikëqyrëse për të vepruar. Nga ana e tyre, autoritetet mbikëqyrëse gabuan në mbështetjen e punës së tyre mbi konceptin e gabuar se institucionet financiare individualisht të forta janë të mjaftueshme për stabilitetin e të gjithë sistemit financiar.

Duke vepruar kështu, ato nuk arritën të identifikonin efektet negative dhe çrregullimet, që rezultojnë si pasojë e sjelljes së pakoordinuar në grup të institucioneve financiare, shpeshherë si pasojë e prociklikalitetit që bartet nga vetë aktiviteti financiar dhe kuadri rregullativ. Vëmendja e mbikëqyrjes përqendrohej në sektorin bankar, ndërkohë që bashkëveprimit të tij me sektorin financiar jobankar i kushtohej një vëmendje e pamjaftueshme, në një kohë kur ky i fundit ishte shumë më pak i rregulluar e ndërkohë që rritej si në përmasë, ashtu dhe në rëndësi.

Gjithashtu, si pjesë e objektivit të tyre të përgjithshëm dhe të mandatuar për të fokusuar përqasjen e tyre mbikëqyrëse në burimet më të rëndësishme të rrezikut të industrisë financiare, por gjithashtu si një shenjë e vështirësisë së tyre objektive për të qenë në një hap me zhvillimet dhe risitë në tregjet financiare, autoritetet mbikëqyrëse u mbështetën gjithnjë e më shumë në disiplinën e tregut dhe në modele të paqarta, komplekse dhe të sofistikuara të rrezikut të industrisë financiare, gjë e cila gjithashtu rezultoi të kishte mjaft mangësi.

Në disa raste, struktura e autoriteteve mbikëqyrëse ka rezultuar e fragmentuar ose mjaft komplekse, duke nxitur kështu arbitrazh rregullativ nga ana e vetë aktorëve të tregut. Në të tjera raste, burimet e nevojshme për kryerjen me eficiencë të rolit mbikëqyrës kanë qenë të kufizuara, duke ndikuar negativisht mbi performancën e mbikëqyrësit.

Por, kjo krizë tregoi se rreziku buroi gjithashtu nga burime të tjera, jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të autoriteteve mbikëqyrëse në një juridiksion të caktuar. Për shembull, rritja e çmimit të aktiveve u nxit nga likuiditeti i bollshëm dhe nga kushtet e favorshme kredituese, të cilat shpesh ndikoheshin nga zhvillimet ndërkombëtare dhe nga flukset financiare.

Huamarrja në tregjet ndërkombëtare nga institucionet financiare u ndikua gjithashtu dhe nga rritja e deficiteve fiskale dhe të atyre të llogarisë korrente. Rritja e këtyre të fundit ishte rrjedhojë e politikave të gabuara, të cilat krijuan zhbalancime në sjelljen kursim-konsum të aktorëve më të rëndësishëm ekonomikë në ekonomi, përfshirë këtu edhe individët.

Tashmë shtrohet pyetja nëse disa prej këtyre çështjeve mund të adresoheshin nga një rol më i fuqishëm i politikës monetare. Integrimi financiar, ndër të tjera, ka kontribuuar gjithashtu në zgjerimin e shpejtë të aktivitetit financiar dhe mjaft institucione financiare janë shndërruar në institucione shumë të mëdha për një shtet të vetëm.

Një gjë e tillë ka ndodhur në një kohë kur, për të njëjtën arsye, autoriteti “de facto” i rregullimit është zhvendosur nga mbikëqyrësit vendas drejt atyre të vendeve të origjinës. Kështu, pavarësisht tendencës së qëndrueshme të konvergimit ndërmjet legjislacionit financiar në shumë vende, ende mbeten ndryshime të theksuara të cilat, veçanërisht në një situatë krize, krijojnë tensione të mëdha midis autoriteteve publike në vende të ndryshme.

Autoritetet publike në mbarë botën po bëjnë përpjekje të mëdha për adresimin e çështjeve të lartpërmendura, me qëllim përmirësimin e standardeve dhe të superstrukturës mbikëqyrëse. Si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu dhe Bashkimi Evropian, po parashikojnë krijimin e institucioneve të veçanta, roli i të cilave do të jetë identifikimi dhe kontrolli i rrezikut sistemik, përmes një përqasjeje të ndryshme mbikëqyrëse për institucionet financiare me rëndësi sistemike.

Në të njëjtën kohë, pritet që këto institucione financiare t’i nënshtrohen një kuadri më shtrëngues rregullativ, në drejtim të kërkesave të kapitalit dhe të likuiditetit, përbërjes dhe zgjerimit të bilancit, si dhe të marrëdhënieve në drejtim. Një tjetër fushë, e cila do t’i përballë autoritetet publike në mbarë botën me një sfidë akoma dhe më të madhe, është dhe rishikimi i procedurave të likuidimit për institucione të ngjashme financiare me prezencë në vende të tjera.

Qëllimi kryesor i reformës në kuadrin rregullativ financiar do të jetë akomodimi i incentivave të reja, të cilat do të krijojnë një mjedis akoma dhe më të përshtatshëm për administrimin e rrezikut në industrinë financiare. Parimi kryesor që ndiqet këtu është: “parandalimi është kura më e mirë”.

Në këtë drejtim, perimetri i kuadrit rregullativ mbikëqyrës do të zgjerohet më tej, me qëllim përfshirjen e institucioneve të tjera të rëndësishme jobankare dhe ka të ngjarë, edhe të kompanive bankare zotëruese. Kuadri i ri rregullativ pritet që gjithashtu, të prezantojë kërkesa më tepër automatike (dhe më pak fleksibile), duke synuar në të njëjtën kohë, më tepër thjeshtësi dhe qartësi.

Zhvendosja drejt thjeshtësimit dhe qartësisë do të ulë ndjeshëm mundësinë e manipulimit dhe do të përmirësojë transparencën dhe besueshmërinë e aktivitetit bankar dhe të atij financiar. Këto ndryshime do të plotësohen me ndryshime të ngjashme në fushën e mbrojtjes së konsumatorit dhe të transparencës së tregut. Kuadri rregullativ i industrisë financiare pritet që gjithashtu, të jetë më pak prociklik, duke qenë se po identifikohen propozime të reja dhe mjaft interesante në drejtim të adoptimit të një përqasjeje kundërciklike për kërkesat e kapitalit, provigjonimin dhe kontabilitetin.

Garantimi i drejtimit të përgjegjshëm për institucionet bankare dhe financiare do të jetë një fushë tjetër zhvillimi. Aktualisht, po identifikohen kërkesa të reja rregullative dhe instrumente, të cilat do të kërkojnë një nivel përfshirjeje dhe përgjegjësie më të madhe nga ana e bordit të drejtorëve, në drejtim të administrimit të rrezikut dhe të shkurajimit të sipërmarrjeve me rrezik të pakontrolluar. Nga ana tjetër, është e nevojshme që autoritetet mbikëqyrëse të forcojnë kapacitetet e tyre të vlerësimit të rrezikut makroprudencial, duke u përqendruar më tepër mbi sjelljet sistemike të institucioneve financiare. Banka qendrore pritet që të marrë më tepër përgjegjësi në këtë drejtim, veçanërisht në ato vende ku ajo deri më tani, nuk ka patur një rol të madh mbikëqyrës.

Pavarësisht përqasjes që do të adoptohet në këtë drejtim, mbikëqyrësit duhet të gëzojnë autoritet më të madh ligjor, i cili do t’u sigurojë atyre ndërmarrjen e veprimeve në kohën e duhur dhe në mënyrë fleksibile. Siç e përmenda dhe më lart, procedurat për administrimin e institucioneve financiare në vështirësi dhe ato për administrimin e krizës duhet të rishikohen, me qëllim sigurimin e një bashkëpunimi më të madh dhe eficient ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe për të zgjidhur më mirë konfliktin e mundshëm midis mbikëqyrjes ex-ante dhe ndërhyrjes ex-post.