23/10/2015
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga z. Jacques Miniane ka vizituar Prishtinën në periudhën 12 – 23 tetor për të kryer rishikimin e parë të programit ekonomik të Kosovës të mbështetur me Marrëveshjen Stand By (MSB). Gjatë këtyre ditëve të qëndrimit të tyre në Kosovë, delegacioni i lartë ka zhvilluar një sërë takimesh më përfaqësues të lartë dhe ekspertë të institucioneve qeveritare si dhe me auteritetet e Bankës Qëndrore të Kosovës. Në fund të kësaj vizite , përfaqësuesit e Kosovës, z.Abdullah Hoti Ministër i Financave, z.Bedri Hamza Guvernator i Bankës Qëndrore të Republikës së Kosovës si dhe udhëheqësi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Jacques Miniane kanë mbajtur një konferencë shtypi ku kanë shpalosur qëndrimet rreth ekpertizës së dalë nga takimet e zhvilluara në kuadër rishikimit të parë të programit ekonomik të Kosovës në kuadër të Marrëveshjen Stand By (MSB.
Ministri Hoti: “Reformat strukturore që kemi ndërmarr gjatë këtij viti besoj se kanë dhënë rezultatet e tyre”
“Për vitin 2015 kemi një vlerësim të përbashkët, se janë përmbush kriteret e parapara në Programin me FMN-në dhe janë përmbushë me një margjinë shumë të kënaqshme, sa i përket bilancit bankar që është shumë i mirë krahasuar me vitin e kaluar, edhe për shkak të performancës shumë të mirë të të hyrave tatimore, mbikëqyrjes shumë të mirë të shpenzimeve buxhetore si dhe kontrollit strikt që kemi vendos që nga janari i këtij viti. Ky është rishikimi i parë që i bëhet programit ekonomik që kemi ne si Qeveri me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të aprovuar në muajin korrik nga Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar”, ka thënë ministri Avdullah Hoti në konferencën e sotme për media me rastin e përfundimit të vizitës së delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga z. Jacques Miniane.
Ai bëri të ditur se gjatë vizitës së Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, janë pajtuar në çështjet sa i përket buxhetit, rritjes ekonomike dhe reformave strukturore që kanë ndodhë deri tash, që do të ndodhin gjatë këtij viti si dhe reformat që do të ndodhin gjatë vitit 2016.
“Rritja ekonomike e Kosovës sivjet ka shënuar trende shumë pozitive krahasuar me vitin e kaluar, vlerësimet e Ministrisë së Financave janë që kjo rritje të jetë 3.8% që është mjaft e lartë krahasuar me vitin e kaluar, dhe presim që vitin e ardhshëm në 2016 të shkojmë afër 4 % rritje ekonomike. Reformat strukturore që kemi ndërmarr gjatë këtij viti besoj se kanë dhënë rezultatet e tyre siç është Pakoja fiskale e cila ka hy në fuqi në muajin shtator, e cila prek edhe anën buxhetore por edhe zhvillimin ekonomik si dhe aspektet sociale të popullsisë ”, shtoi Ministri Hoti .
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se “Jemi dakorduar me FMN-në për reformën e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, ku janë dy çështje shumë madhore në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, është klauzola e investimeve që neve na mundëson të hyjmë në kredi të buta ndërkombëtare tek Institucionet Financiare Ndërkombëtare me kushte të volitshme për të financuar projekte të mëdha zhvillimore, që nuk mund ti përballojmë me buxhetin e shtetit.
Kemi bërë progres shumë të mirë dhe kjo është shpreh edhe prej FMN-së, sa i përket fushës së Prokurimeve ku kemi aprovuar edhe Ligjin e Prokurimeve si dhe jemi dakorduar me FMN-në për prokurimet e centralizuara ku për herë të parë kemi nënshkruar 2 kontrata për prokurimet e centralizuara. Jemi pajtuar në parim për objektivat që do ti arrijmë gjatë vitit 2016, sa i përket ruajtjes së qëndrueshmërisë fiskale, të cilën veç e kemi arritur në këtë vit dhe do ta fuqizojmë në vitin që vjen, për të përmirësuar strukturën e buxhetit gjithashtu dhe për shumat për alokimet, për zëra të veçantë por edhe për strukturën e tyre. Ajo çka është mirëpritur shumë edhe për opinionin është se jemi pajtuar në parim që të fillojmë implementimin e plotë të Ligjit për skemat pensionale, ku kemi vendosur dhe jemi pajtuar me FMN-në që të rrisim alokimin për këtë skemë nga 68 milionë €uro sa është sivjet në 98 milionë €uro”.
Në fund të fjalës së tij ,Ministri Hoti , ka falënderuar misionin e FMN-së për dialogun konstruktiv të treguar gjatë këtyre diskutimeve të cilat nuk kanë qenë të lehta, dhe u shprehë se janë pajtuar për reformat e nevojshme që duhet të ndërmarrim si Qeveri, duke përmendur këtu këshillat konstruktive që kanë marrë nga Misoni i FMN-së gjatë këtyre bisedimeve , ku ndër reformat që sipas tij duhen ndërmarrë janë : reformat që duhet ndërmarrë për të përmirësuar ambientin për biznes, për të rritur transparencën dhe efiçencën e qeverisjes. Poashtu sipas tij janë vendos targete të arritshme sa i përket të hyrave buxhetore për Dogana dhe për Administratën Tatimore të Kosovës “
Guvernatori Hamza:“Sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë stabil, mirë i kapitalizuar dhe fitimprurës”
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës,z. Bedri Hamza bëri të ditur se sektori financiar ka pasur disa kritere, sa i përket rishikimit të parë të Marrëveshjes, të cilat si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombetarë dhe si rezultat edhe i kontributit të tyre profesional kanë arritur që ti përmbushin para afatit të paraparë.
“Sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë stabil, mirë i kapitalizuar dhe fitimprurës. Rritja e kredive është rritja më e madhe që ka ndodh viteve të fundit, e cila edhe ka dhënë një impakt të fuqishëm edhe në rritjen ekonomike, që rritja e kredive deri në fund të gushtit vit me vit është 7.8%. Gjithashtu, kemi pasur edhe rritje të depozitave, rritje të aseteve, dhe profiti i bankave është pozitiv. Kreditë joperformuese vazhdojnë që të kenë trend stabil, janë mirë të provizionuara, në fund të gushtit ka qenë 7.5 . Niveli i provizioneve për kreditë joperformuese sillet diku rreth 116% dhe në përgjithësi këtë sektor e kanë karakterizuar zhvillime pozitive. Bashkë me FMN-në dhe me donatorë të tjerë, ne kemi punuar që t'i eliminojmë disa pengesa që të rritet niveli i kreditimit me qëllim të përkrahjes të sektorit real, përkrahjes së bizneseve, atje ku gjenerohet rritja ekonomike dhe vendet e punës”, tha Guvernatori Hamza. Në vazhdim Guvernatori Hamza bëri të ditur se janë shënuar disa zhvillime, siç është çështja e përmbaruesve privat , të cilët kanë kontribuar dhe po bëjnë të mundur përmirësimin e zbatimit të kontratave, mirëpo i kemi identifikuar edhe disa pengesa të tjera të cilat në të ardhmen duhet të adresohen me qëllim të përmirësimit të gjendjes në këtë sektor. Siç është zbatimi i kontratave, rritja e numrit të përmbaruesve privat, çështja e zhvillimit të ankandeve, çështja e vendosjes së serverëve me qëllim të avancimit të regjistrit të kredive, dhe çështje të tjera të ngjashme të kësaj natyre që presim ti adresojmë në periudhën në vijim. Në fund Guvernatori Hamza potencoi se është më se pozitive që ky rishikim me kushte jo të lehta, pas disa ditë diskutimeve jo të lehta, në fund ka përfunduar me sukses dhe besoj se është trasuar rruga që edhe rishikimi i ardhshëm i Marrëveshjes të jetë pozitiv”.
z.Miniane : Falënderon institucionet e Kosovës për bashkëpunim me Fondin
Duke iu drejtuar mediave udhëheqësi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Jacques Miniane, përveç se ka falënderuar autoritetet dhe bashkëbiseduesit e tjerë për bashkëpunimin e tyre të shkëlqyeshëm, diskutimet tejet cilësore ka nënvizuar si në vijim :
“Misioni ka arritur marrëveshje në nivel të stafit me autoritetet, që do t’i nënshtrohen aprovimit nga menaxhmenti dhe Bordi Ekzekutiv i FMN-së, lidhur me një varg politikash të cilat janë të nevojshme për ta përmbyllur rishikimin e parë në kuadër të MSB-së. Shqyrtimi nga ana e Bordit Ekzekutiv është planifikuar të mbahet më 16 dhjetor. Përfundimi i rishikimit do t’i mundësojë 28.1 SDR (35 milionë euro) në dispozicion të Kosovës, tha z. Miniane.
Ai bëri të ditur se “Performanca në kuadër të programit deri më tani ka qenë e mirë. Autoritetet i kanë përmbushur me lehtësi caqet për muajin gusht në kuadër të programit të mbështetur nga FMN-ja, si për balancën fiskale ashtu dhe për mbulesat e parasë së gatshme të qeverisë. Gjithashtu, ato kanë bërë përpjekje të lavdërueshme për të frenuar shpenzimet aktuale joproduktive, që është veprim i rëndësishëm për lirimin e hapësirës së duhur për shpenzime kapitale dhe përmirësimin e perspektivave për rritje afatgjate. Të hyrat tatimore janë realizuar mirë, por autoritetet duhet të sigurojnë që disa të hyra të njëhershme – nga agjencia e privatizimit dhe nga shitja e licencave të telekomunikacionit – të materializohen ashtu siç parashihet në buxhet”.
“Kosova është duke shënuar përparim të mirë në kuadër të programit të saj ekonomik. Pas një ngadalësimi ekonomik të vitit të kaluar, rritja pritet të rimëkëmbet afërisht 4 përqind në vitin 2015, e shtyrë kryesisht nga kërkesa vendore e nxitur nga të hyra të forta të remitancave dhe rritja në huadhënie bankare. Rritja pritet të përshpejtohet në 3.8 për qind më 2016, mbështetur nga realizimi i investimeve në qendrën skitare të Brezovicës. Në periudhën afatmesme, nevojitet një rritje më e lartë dhe më përfshirëse për t’i ngritur të ardhurat, për të zhvilluar një sektor privat më produktiv dhe për të krijuar vende pune. Ne përshëndesim hapat e ndërmarra nga autoritetet në drejtim të përmbushjes së këtyre objektivave”, tha z. Miniane.
Sipas, udhëheqësit të Misionit të FMN-së Jacques Miniane “Autoritetet janë duke lëvizur me shpejtësi drejt avancimit të ligjeve të rëndësishme që do të fuqizojnë politikën fiskale dhe do të ndihmojnë nxitjen e rritjes. “Së pari, një ndryshim në dispozitën për investime në rregullën fiskale do të ndihmojë në sjelljen e projekteve kapitale shtesë të financuara nga agjencitë shumëpalëshe dhe dypalëshe. Elementet e rëndësishme të inkorporuara në këtë ndryshim kanë për qëllim rritjen e transparencës në procese dhe mbajtjen e borxhit publik në nivel të ulët dhe të qëndrueshëm. Së dyti, miratimi i rregullës për pagat e sektorit publik do të ndihmojë që ndarjet e ardhshme buxhetore për paga publike të rriten në përputhje me trendet e përgjithshme në ekonomi dhe do ta bëjnë Kosovën më konkurruese.
Ai gjithashtu theksoi se “Në këtë kuptim, kemi vërejtur, me një shkallë shqetësimi, se javët e fundit aktivitetet parlamentare kanë ngecur. Një gjë e tillë po vonon miratimin e ligjeve të rëndësishme, disa prej të cilave janë kruciale për reformat ekonomike qeveritare dhe zbatueshmërisë se programit të Kosovës të mbështetur nga Fondi. Më së rëndësishmi, situata në parlament rrezikon cenimin e besimit të investitorëve, përfundimisht në dëm të të gjithë qytetarëve”.
“Bankat kosovare qëndrojnë mirë, janë mirë të kapitalizuara, likuide dhe profitabile. Kreditimi është rritur dhe kualiteti i aseteve ka vazhduar që të përmirësohet këtë vit, ku rritja e kredive është 7.8 përqind deri në fund të gushtit dhe kredit e këqija mbesin në nivelin prej 7.5 përqind. “Autoritetet gjithashtu kanë shënuar progres të mirë në mbështetjen e stabilitetit financiar dhe identifikimin e masave për të nxitur ndërmjetësimin bankar dhe qasjen në kredi që i duhet Kosovës për të mbështetur një ekonomi më të fuqishme”, ka shtuar Miniane.
Kliko: Kumtesa për media e Zyrës së Fondit Monetar Ndërkombëtar.