Guvernatori Hamza mbajti një ligjeratë me gazetarët e ekonomisë

25/05/2015

Guvernatori Hamza  mbajti një ligjeratë  në punëtorinë me gazetarët e ekonomisë  të organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale STRAS. Në vijim gjeni ligjeratën e Guvernatorit.
 
Të nderuar përfaqësues të mediave (gazetarë) dhe pjesëmarrës të kësaj punëtorie,
 
Ndjej kënaqësi të veçantë që sot gjendem në këtë mes dhe këtë e shoh si vazhdimësi të komunikimit të rregullt që kemi me juve lidhur me çështjet me interes për ekonominë tonë. Pavarësisht se nga pozicione të ndryshme, kur flasim për ekonominë, kemi një qëllim të përbashkët i cili është shfrytëzimi sa më i mirë i resurseve për të siguruar përshpejtim të zhvillimit ekonomik të vendit.
Siç dihet, në çdo vend, ndikim të rëndësishëm në zhvillimet ekonomike kanë edhe pritjet e agjentëve ekonomik. Optimizmi i agjentëve ekonomik ndikon në rritjen e shpenzimeve dhe, rrjedhimisht, nxitë rritjen ekonomike, përderisa pesimizmi i agjentëve çon drejt ngadalësimit të aktivitetit ekonomik. E njëjta gjë vlen edhe për stabilitetin financiar, ku perceptimi pozitiv i agjentëve e forcon stabilitetin financiar, përderisa perceptimi negativ mund të dëmtojë stabilitetin e sektorit financiar. Për këtë arsye, ne e vlerësojmë lartë komunikimin e drejtë dhe të hapur me mediat, për shkak se përmes juve ne i mundësojmë publikut të kuptojë drejtë zhvillimet financiare në vend dhe, mbi këtë bazë, të ndërtojë pritje racionale mbi gjendjen aktuale dhe zhvillimet e pritshme në sektorin financiar dhe në ekonominë në përgjithësi.
Vlerësimet dhe pritjet e agjentëve ekonomik rreth sektorit financiar shprehen me shkallën e besimit të publikut në këtë sektor. Besimi i publikut paraqet një parakusht shumë të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori. Në këtë kontekst, besimi i publikut ka rëndësi të posaçme sidomos për sektorin bankar duke ditur se afarizmi i bankave në masë shumë të madhe ndërtohet mbi bazën e besimit. Institucionet bankare operojnë me shkallë shumë të lartë të levës, që do të thotë se ato e zhvillojnë aktivitetin e tyre kryesisht me mjete të huazuara nga burime të ndryshme, siç janë individët, bizneset dhe institucionet tjera financiare. Prandaj, bankat kanë nevojë të gëzojnë nivel të lartë besimi nga publiku në mënyrë që të sigurojnë financim të qëndrueshëm, pa të cilin nuk mund të ketë zhvillim të suksesshëm të aktivitetit bankar.
Në Kosovë, ne jemi të lumtur që bankat gëzojnë besim të lartë të publikut, besim ky që është shprehur nga rritja e qëndrueshme e depozitave që nga fillimi i funksionimit të sektorit bankar në vendin tonë. Në mars 2015, vlera e përgjithshme e depozitave në sektorin bankar të vendit ka arritur në 2.57 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 5.9%. Kjo rritje e qëndrueshme e depozitave ka mundësuar zgjerimin e vazhdueshëm të kredive, të cilat në mars 2015 arritën vlerën prej 1.9 miliardë euro e cila paraqet një rritje vjetore prej 4.3%. 
Por, cilët janë faktorët kryesor mbi të cilët është ndërtuar besimi i publikut në sektorin bankar të Kosovës dhe pse duhet publiku të vazhdojë së besuari sektorit bankar të vendit? Lidhur me këtë, më lejoni që në vijim të ju paraqes një përmbledhje të faktorëve kryesor të cilët kanë mundësuar zhvillimin e suksesshëm të sektorit bankar, që po vazhdon të shërbejë si baza kryesore mbi të cilën është ndërtuar besimi i publikut në këtë sektor.
1. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, si autoriteti rregullativ financiar, ka zbatuar një politikë të shëndoshë të licencimit, e cila ka bërë të mundur që në treg të kemi vetëm banka të shëndetshme, hyrja e të cilave në tregun tonë ka mundësuar rritjen e konkurrencës dhe zhvillimin e suksesshëm të sektorit bankar.
Në tregun bankar të Kosovës sot operojnë 9 institucione bankare, prej të cilave 7 janë të themeluara me kapital të huaj ose përfaqësojnë degë të bankave të huaja dhe 2 janë banka të themeluara me kapital vendor. Poashtu, në vitin 2014 kemi pajisur me licencë preliminare edhe një degë të huaj bankare. Hapja e tregut për bankat e huaja ka bërë të mundur që sektori bankar, përkundër faktit se filloi të zhvillohet që nga e para, shumë shpejtë të adoptojë praktikat bashkëkohore të bankingut, duke përfshirë si metodat e menaxhimit të rreziqeve bankare ashtu edhe zhvillimin e produkteve bankare. Nga prezenca e bankave të huaja, përfituan edhe bankat vendore të cilat me sukses konvergjuan drejtë standardeve të bankingut modern. 
 
2. Shtyllë tjetër e rëndësishme për zhvillimin e sektorit bankar është korniza rregullative, brenda së cilës rregullohen aspekte të ndryshme të operimit të sektorit bankar. Qëllimi kryesor i rregullativës bankare është që të përcaktojë parimet të cilave bankat duhet t’u përmbahen në mënyrë që të sigurohet se sjellja e tyre nuk rrezikon stabilitetin financiar dhe me këtë as interesat e depozitorëve dhe investitorëve tjerë. BQK-ja me shumë kujdes ka zhvilluar një kornizë moderne të rregullativës bankare, e cila është në linjë me kornizat e Baselit dhe është e përshtatur ndaj specifikave të sektorit bankar të vendit tonë. 
 
3. Për të siguruar se sjellja e bankave është në përputhje me kornizën rregullative, pra për të siguruar se sjellja e tyre është në përputhje me parimet e afarizmit të shëndetshëm bankar, BQK-ja në vazhdimësi ka avancuar funksionin e mbikëqyrjes bankare, ku për së afërmi monitorohet aktiviteti i secilës bankë. Për më tepër, BQK-ja në vazhdimësi monitoron edhe gjendjen e sektorit bankar si tërësi si dhe përpilon analiza përmes të cilave synohet identifikimi i rreziqeve të mundshme që mund t’i kanosen sektorit bankar dhe, mbi këtë bazë, përgatitet për ndërmarrjen e masave adekuate. Për të qenë sa më transparent me publikun, BQK-ja në baza të rregullta publikon materiale të ndryshme, siç është Raporti i Stabilitetit Financiar dhe materiale të tjera, të cilat ofrojnë informacion të hollësishëm mbi gjendjen dhe zhvillimet në sistemin financiar dhe ekonominë në përgjithësi.
 
4. Në zhvillimin dhe stabilitetin e sektorit bankar, ndikim të rëndësishëm ka pasur edhe zhvillimi i infrastrukturës financiare moderne. Në këtë aspekt, vlen të theksohet se BQK-ja ka zhvilluar një sistemi efikas dhe të sigurt të pagesave, i cili ka mundësuar funksionimin më efikas të sektorit bankar dhe rrjedhimisht edhe të ekonomisë. Poashtu, infrastruktura financiare është zgjeruar edhe përmes regjistrit të kredive, i cili ka mundësuar përmirësimin e kapaciteteve të bankave për të menaxhuar më mirë rrezikun kreditor.
 
5. Përveç sjelljes prudenciale të vetë bankave dhe angazhimeve shumëdimensionale të BQK-së për zhvillimin dhe ruajtjen e stabilitetit të sektorit bankar, kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe stabiliteti makroekonomik i vendit. Portofolio kreditore e sektorit bankar të Kosovës pothuajse në tërësi përbëhet nga kreditë e lëshuara brenda vendit, prandaj çdo ndryshim në performancën makroekonomike të vendit reflektohet në aftësinë paguese të kredimarrësve dhe, rrjedhimisht, në stabilitetin financiar. Ekonomia e Kosovës gjatë gjithë viteve të fundit ka shënuar rritje, përfshirë periudhën e krizës globale kur shumë shtete, në mesin e tyre edhe shtete të rajonit tonë, shënuan tkurrje të ekonomisë. Parashikimet makroekonomike sugjerojnë se ekonomia e Kosovës do të vazhdojë të shënojë rritje edhe në vitet e ardhshme, duke krijuar kështu kushte për zhvillim të mëtejmë dhe ruajtje të stabilitetit të sektorit bankar.
 
6. Të gjithë faktorët dhe zhvillimet që potencova deri më tani kanë dhënë kontribut shumë të rëndësishëm në ndërtimin dhe zhvillimin e sektorit bankar që kemi sot, i cili është në mesin e sektorëve bankar më të qëndrueshëm në rajon por edhe më gjerë dhe me të drejtë gëzon besim të lartë nga publiku. 
Për t’iu kthyer numrave, më lejoni të ju paraqes disa nga indikatorët kryesor të cilët e pasqyrojnë shëndetin e mirë që ka sektori bankar i Kosovës. Portofoli kreditor i sektorit bankar ka cilësi mjaft të mirë, me pjesëmarrje të kredive joperformuese në gjithsej kreditë prej vetëm 8.2%, përderisa mesatarja e vendeve të rajonit për këtë tregues është rreth 17%. Për më tepër, kreditë joperformuese në sektorin tonë bankar janë të mbuluara me mbi 100% nga provizionet për humbjet e mundshme nga kreditë, që do të thotë se bankat paraprakisht kanë ndarë rezervat e duhura për ballafaqimin me humbjet e mundshme që mund të paraqiten nga këto kredi. Sektori bankar vazhdon të jetë shumë mirë i kapitalizuar, duke mbajtur në vazhdimësi Treguesin e Mjaftueshmërisë së Kapitalit në rreth 18%, që paraqet nivel dukshëm më të lartë se minimumi i kërkuar nga Banka Qendrore. Niveli i lartë i kapitalizimit tregon se bankat kanë inkuadruar mjaft shumë kapital vetanak, i cili mund të përdoret për të absorbuar tronditjet e mundshme negative pa rrezikuar mjetet e investitorëve tjerë siç janë depozitorët. Poashtu, sektori bankar vazhdon të ketë pozicion të fuqishëm të likuiditetit, që do të thotë se bankat kanë aftësi të lartë për të përmbushur detyrimet e tyre afatshkurta, si për shembull kërkesat për tërheqje të depozitave. Treguesi i likuiditetit të bankave vazhdon të qëndrojë në mbi 40%, që paraqet nivel mjaft më të lartë se sa minimumi i kërkuar rregullativ prej 25%. Niveli i lartë i qëndrueshmërisë së sektorit bankar sugjerohet edhe nga analiza të tjera, siç është stres-testi, ku bankat në Kosovë paraqiten të afta për të përballuar dhe skenarë hipotetetik të konsideruar nën supozime mjaft konservative.
 
Për të përmbyllur diskutimin tim, po i kthehem edhe një herë pyetjes kryesore që më keni shtruar dhe dëshiroj të ritheksoj se sektorit bankar duhet ti besojmë për shkak se kemi një sektor me banka shumë cilësore, të cilat kanë ndërtuar kapacitete të avancuara për menaxhim të mirë bankar; kemi një bankë qendrore e cila ka ndërtuar kapacitete të avancuara në të gjitha sferat e operimit të saj për të realizuar me sukses objektivat e saj ligjore, ku vendin kryesor e zë ruajtja e stabilitetit financiar; dhe kemi një ambient të përgjithshëm ekonomik, i cili përkundër se nuk po arrin të sigurojë zhvillim të shpejtë të vendit, ka siguruar një shkallë stabiliteti që mundëson ruajtjen e stabilitetit financiar. 
 
Unë ju dëshiroj mbarëvajtje të kësaj punëtorie dhe ju konfirmoj se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës gjithëherë është e gatshme t’i përgjigjet pozitivisht organizimeve të tilla që kanë për qëllim rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet nesh.