Guvernatori Hamza priti në takim Përfaqësuesin e Ri Rezidencial të FMN-së në Kosovë

10/08/2015

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, priti sot në një takim njohës Përfaqësuesin e Ri Rezident të FMN-së në Kosovë, z. Ruud Vermeulen. Në këtë takim, Guvernatori Hamza njohu përfaqësuesin e ri të FMN-së me zhvillimet aktuale në sektorin financiar në Kosovë, me përgjegjësitë dhe angazhimet aktuale të BQK-së, si dhe me sfidat me të cilat po ballafaqohet ky institucion. Guvernatori falënderoi përfaqësuesin e  FMN-së për ndihmën e vazhdueshme, që kjo organizatë i ka dhënë Kosovës dhe institucioneve të saj duke përmendur zbatimin e suksesshëm të marrëveshjeve të kaluara me FMN-në. Gjithashtu, Guvernatori Hamza, shprehu përkushtimin e tij për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë institucional me FMN-në.
Në anën tjetër, Përfaqësuesi i Ri Rezident i FMN-së, z.Ruud Vermeulen, shprehu përkushtimin e tij, që të vendosë një bashkëpunim shumë të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe gatishmërinë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin midis institucioneve të Kosovës dhe FMN-së.