Guvernatori Hamza priti një delegacion pune të SWIFT-it

12/09/2013

Guvernatori Hamza priti një delegacion pune të SWIFT-it

Guvernatori Hamza priti sot një delegacion të SWIFT-it që ishte për një vizitë pune në Republikën e Kosovës.  Me këtë rast, Guvernatori Hamza shprehu edhe një herë falënderimin për mundësimin e lidhjes së BQK-së dhe bankave komerciale të vendit me identitet adekuat shtetëror në sistemin e SWIFT-it dhe ritheksoi përfitimet e sistemit financiar të vendit tonë.  Duke u bërë në mënyrë të drejtë pjesë e komunikimit financiar ndërkombëtar, BQK-ja dhe bankat komerciale do ta avancojnë pozicionin e tyre ndërkombëtar dhe do t’i përmirësojnë shërbimet që i ofrojnë.  Për BQK-në, lidhja në SWIFT jo vetëm që do të lehtësojë punët bankare ndërkombëtare por edhe do të kontribuojë në arritjen e objektivit parësor të saj - nxitjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil në vend.  Në radhë të parë, do të modernizohet infrastruktura ndërbankare, do të avancohet raportimi i bankave komerciale dhe do të mundësohet luftimi më efektiv i shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.
Duke qenë në prag të lidhjes së BQK-së në SWIFT, Guvernatori Hamza theksoi po ashtu se BQK-ja si institucion që do të lidhet në SWIFT i ka bërë të gjitha përgatitjet e kërkuara.  Në të njëjtën kohë, si autoritet kyç financiar i Republikës së Kosovës, BQK-ja ka iniciuar dhe siguruar themelimin e Grupit Kombëtar të Anëtarëve dhe Përdoruesve të SWIFT-it si dhe është duke përcjellë edhe progresin e bankave komerciale të vendit në proceset e lidhjes së tyre adekuate në SWIFT.  BQK-ja po ashtu do të vazhdojë të bashkëpunojë me përkushtim me SWIFT-in edhe në të ardhmen.
Përfaqësuesit e SWIFT-it u shprehën të kënaqur me të gjitha përgatitjet e bëra nga BQK-ja sa i përket lidhjes së saj në SWIFT si dhe me komunikimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm me të gjitha institucionet e vendit.  Ata gjatë vizitës së tyre treditore të punës, realizuan takime profesionale me personelin e BQK-së dhe të bankave komerciale të vendit si dhe ofruan disa trajnime teknike.