Guvernatori Hamza priti një delegacion të lartë nga Deutsche Bundesbank

24/10/2016

Një delegacion nga Deutsche Bundesbank është duke qëndruar për vizitë pune në Bankën Qendrore të Kosovës për të diskutuar mbi praktikat më të mira të menaxhimit të rezervave në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë. 
Delegacioni gjerman sot është pritur nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës z. Bedri Hamza dhe Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare z. Lulzim Ismajli. 
Z. Hamza e njoftoi delegacionin gjerman lidhur me gjendjen pozitive të sektorit financiar në Kosovë. Fokus të veçantë gjatë diskutimit i është kushtuar menaxhimit të rezervave, rrezikut dhe likuiditetit dhe po ashtu në takim u  diskutua edhe mbi zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare.
Guvernatori Hamza falënderoi delegacionin gjerman për gjithë mbështetjen që është duke dhënë për shtetin e Kosovës e në veçanti mbështetja ndaj Bankës Qendrore të Kosovës. Z. Hamza kërkoi nga delegacioni gjerman që stafit të BQK-së t'i ofrohet edhe më shumë mundësi përfitimi nga përvojat e ekspertëve nga Bundesbank, si në aspektin e trajnimit të stafit, ashtu edhe pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume të organizuara nga Bundesbank dhe shteti Gjerman. 
Po ashtu, gjatë qëndrimit të tyre në BQK, përfaqësuesit nga Deutsche Bundesbank kanë diskutuar me përfaqësuesit nga Departamenti i Menaxhimit të Mjeteve lidhur me mundësinë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fushën e menaxhimit të rezervave dhe alternativave për investime në vitet pasuese, roli i bankave qendrore si agjentë fiskalë i qeverisë etj.