Guvernatori Hamza vizitoi selinë e Bankës për Rregullime Ndërkombëtare

25/07/2016

Në funksion të intensifikimit të zhvillimit operacional dhe të afirmimit ndërkombëtar të BQK-së, guvernatori i BQK-së, z. Bedri Hamza, ka realizuar një vizitë pune në selinë e Bankës për Rregullime Ndërkombëtare - BRrN (ang.: Bank for International Settlements - BIS) në Bazel, Zvicër. BRrN-ja si institucioni financiar ndërkombëtar më i vjetër shërben si një bankë për bankat qendrore, si dhe nxit bashkëpunimin monetar dhe financiar përmes komiteteve të saj të përhershme. Në mesin e komiteteve të saj të përhershme, Komiteti i Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare - Komiteti i Bazelit nxit bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet e mbikëqyrjes bankare, me vlerësimet dhe rekomandimet e tij, të cilat paraqesin një bazë të rëndësishme referuese për zhvillimet bashkëkohore në fushën e mbikëqyrjes bankare. BQK-ja është e angazhuar drejt zbatimit të duhur të kornizës përkatëse të Komitetit të Bazelit në avancimin e funksionit të saj të mbikëqyrjes bankare.
Gjatë vizitës, guvernatori Bedri Hamza është takuar me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Komitetit të Bazelit, z. Karl Cordewener, dhe këshilltarin ligjor të BRrN-së, z. Petja Toskan. Në takimin e zhvilluar, guvernatori Hamza i njoftoi nikoqirët mbi zhvillimet relevante në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në ekonominë dhe sistemin financiar të vendit. Lidhur me angazhimin e BQK-së për avancimin e mbikëqyrjes financiare në përgjithësi dhe të mbikëqyrjes bankare në veçanti, guvernatori Hamza i prezantoi orientimet strategjike dhe theksoi rëndësinë e lartë, që i është dhënë zbatimit të standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira. Në këtë drejtim, guvernatori Hamza foli më hollësisht lidhur me arritjet dhe objektivat në zbatim të Kornizës së Bazelit. Nikoqirëve iu shpreh falënderimi për bashkëpunimin e deritanishëm lidhur me forcimin e kapaciteteve të mbikëqyrjes bankare të BQK-së, si dhe interesimi për zhvillim të marrëdhënieve në të ardhmen sa i përket jo vetëm fushëveprimtarisë së Komitetit të Bazelit por edhe shërbimeve bankare të BRrN-së për bankat qendrore.
Z. Cordewener dhe z. Toskan shprehën kënaqësinë për realizimin e kësaj vizite në selinë e BRrN-së, dhe prezantuan zhvillimet aktuale relevante lidhur me veprimtarinë e BRrN-së në përgjithësi dhe të Komitetit të Bazelit në veçanti. U vlerësuan aktivitetet zhvillimore të BQK-së në rregullimin dhe mbikëqyrjen e bankave dhe u përcoll gatishmëria për përkrahje të mëtejme bazuar në mundësitë institucionale dhe përvojat e deritanishme me bankat e tjera qendrore.
Gjatë kësaj vizite, guvernatori Hamza ishte i shoqëruar nga zëvendësguvernatori për mbikëqyrje financiare, z. Fehmi Mehmeti. Në vizitë morën pjesë edhe përfaqësuesit e GIZ-it gjerman, z. Ralf Raab dhe z. Christoph Schroer, të cilët janë të përfshirë në programin e asistencës teknike për zhvillimin e fushës së mbikëqyrjes bankare të BQK-së.