Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës merr pjesë në takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore

10/10/2015

Në datat 5-12 tetor 2015, Delegacioni i Kosovës i përfaqësuar nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, z. Bedri Hamza dhe Ministri i Financave z. Avdullah Hoti morën pjesë në takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat janë duke u zhvilluar në Lima të Perusë.
Përveç pjesëmarrjës në Sesionet Plenare, delegacioni ka zhvilluar takime të shumta , ku ndër to mund të nënvizojmë takimet që Guvernatori Hamza ka zhvilluar gjatë qëndrimit në Lima, janë: takimi me z.Min Zhu-Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i FMN-së; takimi me z. Frans Godts-Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës së Kosovës;takimi me znj. Ellen Goldstein- Drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor; takimi me Drejtorin e Departamentit për Tregje Monetare dhe Kapitale të FMN-s, si dhe përfaqësuesit e Departamentit të FMN-së për Evropë; Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Evropën Qendrore dhe Rajonin e Azisë Cyril Muller.

Gjatë takimeve me zyrtarët e lartpërmendur janë vlerësuar pozitivisht zhvillimet në Kosovë. Në këtë drejtim është vlerësuar lartë puna e institucioneve të Kosovës në përgjithësi, si dhe në veçanti puna e BQK-së dhe Ministrisë së Financave, në ruajtjen e stabilitetit makrofiskal, menaxhimin e kujdesshëm të proceseve buxhetore dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar. Delegacioni i Kosovës ka shprehur kënaqësinë sa i përket punës së deritanishme, si dhe gatishmërinë dhe vullnetin për vazhdim të bashkëpunimit të suksesshëm ndërinstitucional në tejkalimin e sfidave për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Gjatë këtyre aktiviteteve të zhvilluara ,zyrtarët e lartë të FMN-së dhe të Bankës Botërore kanë vlerësuar delegacionin e Republikës së Kosovës për performancën e treguar, si dhe progresin e shënuar në realizimin e detyrave në kuadër të Programit me FMN-në, si dhe rritjes së efiçiencës në zbatiminim e projekteve të ndërlidhura me Bankën Botërore. Delegacioni i Kosovës gjatë këtyre takimeve ka marrë mbështetje dhe premtime se asistenca për institucionet e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.