26/01/2016
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z.Bedri Hamza priti në takim një delegacion të Lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të kryesuar nga Drejtoresha Menaxhuese për Evropë Juglindore Znj. Sylvia Gansser – Potts.
Fillimisht Guvernatori Hamza ka njoftuar delegacionin e BERZH-it për angazhimet aktuale të BQK-së, si dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet ky institucion. Duke folur për sektorin financiar dhe zhvillimet e fundit në këtë sektor Guvernatori potencoi se sektori vazhdon të ketë një qëndrueshmëri të lartë duke operuar në pajtim të plotë me rregullativën, ligjet dhe rregulloret në fuqi, rregullativë kjo mbi të cilën çdo ditë e më shumë është duke u punuar për ta përafruar me Rregullativën e BE-së. Gjithnjë sipas Guvernatorit një rol pozitiv për këtë përformancë të mirë e ka BERZH-i me praninë e tij në formën e pjesëmarrjes së kapitalit në disa nga bankat e Kosovës.
Ndërsa znj.Sylvia Gansser – Potts, Drejtoreshë Menaxhuese për Evropën Juglindore të BERZH-it, falënderoi Guvernatorin për pritjen si dhe shprehu përkushtimin për të vazhduar me ofrimin e ndihmës në formën e projekteve që do të jenë në shërbim të zhvillimit të Kosovës. Ajo i ofroi me këtë rast mbështetje të plotë Guvernatorit, qoftë për projektet ku mund të përfshihet edhe BQK-ja me theks të veçantë në sektorin financiar të Kosovës.
Në fund Guvernatori Hamza, shprehu përkushtimin e tij për të vazhduar dhe zhvilluar më tej format e bashkëpunimit institucional me BERZH-in dhe shprehu bindjen e tij se BERZh-i do të vazhdojë përkrahjen e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë së vendit. Në takim znj. Sylvia Gansser - Potts shoqërohej edhe nga bashkëpunëtorët e saj dhe Përfaqësuesja Rezidente e BERZH-it në Kosovë znj. Elena Petrovska.