Guvernatori i BQK-se Hashim Rexhepi në konferencën e Varshavës

08/06/2009

Më 5 dhe 6 qershor në Varshavë nën patronatin dhe ftesën e presidentit të Bankës Kombëtare të Polonisë z. Sławomir Skrzypek ka marrë pjesë edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Hashim Rexhepi. Konferenca me titull “20 vjet pas kolapsit të ekonomisë socialiste, transformimit, zhvillimit ekonomik dhe konvergjencat në Poloni dhe në vendet tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore” kishte karakter dydimensional; karakterin historik dhe atë ekonomik. Në aspektin historik janë përkujtuar ditët e fillimit të shuarjes së komunizmit ku kontribuuesit fillestarë, siç është cekur në konferencë, ishin edhe populli polakë dhe vendosmëria e tyre për ndryshime, ndërsa në aspektin ekonomik janë shpalosur konceptet e kalimit nga ekonomia totalitare në tregun e lirë dhe hapja e mundësive të reja nga kjo hapje për zhvillim dhe prosperitet.

Në takim të pranishëm ishin shumë personalitete të niveleve të larta si: presidenti i Bankës Qendrore Evropiane z. Jean-Claude Trichet, Komisionari Evropian për politika ekonomike dhe monetare z. Joaquín Almunia, presidenti i Polonisë z. Lech Kaczyński, presidenti i Republikës Çeke z. Václav Klaus, guvernatorë të vendeve të ndryshme të rajonit dhe të Evropës, si dhe personalite të ndryshme nga Japonia, Kina etj.

Veçanti e këtij takimi përveç pjesëmarrjes së BQK-së, si përfaqësuese e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, ishte edhe takimi ndaras i guvernatorit Rexhepi me z. Trichet. Në këtë takim janë shpalosur rrjedhat dhe zhvillimet e BQK-së, anëtarësimi në FMN, BB dhe në institucionet e tjera financiare, si dhe janë shikuar mundësitë e ofrimit të asistencës teknike nga Banka Qendrore e Evropës.

Guvernatori Rexhepi takimin e përfundoi duke iu falënderuar presidentit Trichet për ndihmën e deritanishme si dhe gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes së Bankës Qendrore Evropiane.