04/10/2023
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorë, priti sot në takim drejtorin e ri të Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Vendet e Ballkanit Perëndimor z. Nicolas Marquier me ekipin e tij.
Z. Marquirer e uroi për detyrën Guvernatorin Ismaili dhe i ofroi bashkëpunim dhe mbështetjen e tij.
Edhe Guvernatori Ismaili e uroi për detyrën z. Marquirer dhe falënderoi për kontributin që ka dhënë Korporata Financiare Ndërkombëtare për sektorin financiar dhe sektorin privat në Kosovë.
Pjesë e diskutimit ishin edhe aspektet përfundimtare të organizimit të Forumit të parë ndërkombëtar mbi Financim e Qëndrueshëm, të cilin BQK e bashkëorganizon me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), Shoqatën e Bankave të Kosovës (SHBK) dhe në partneritet me Sekretariatin Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike (SECO).
Gjithashtu në takim u diskutua lidhur me mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare në fushën e kornizës rregullative dhe strategjisë së financimit të qëndrueshëm dhe asaj të gjithëpërfshirjes financiare.
Në takim u konkludua se bashkëpunimi ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare do të vazhdojë në zhvillimin e sektorit financiar, përfshirjen financiare dhe financimin e qëndrueshëm, me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.