Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është një institucion publik i pavarur dhe objektivi parësor i saj është nxitja dhe ruajtja e një sistemi të qëndrueshëm financiar si dhe një sistemi efikas të pagesave
06/06/2018
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Ministri i Financave, Bedri Hamza kanë takuar Drejtorin Ekzekutiv të Konstituencës së Bankës Botërore, ku bën pjesë edhe Kosova, Franciscus Godst.
Guvernatori Mehmeti ka njoftuar Godst me zhvillimet e fundit në sektorin e financave dhe bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare, me theks të veçantë me Bankën Botërore, duke falënderuar këtë institucion për bashkëpunimin e deritashëm.
Guvernatori Mehmeti dhe Ministri Hamza e falënderuan Godst, që si Drejtor Ekzekutiv në Konstituencën ku bën pjesë Kosova, ka përfaqësuar me korrektësi vendin tonë në forumet ekzekutive të Bankës Botërore.
Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv i Konstituencës së Bankës Botërore, Franciscus Godst, vlerësoi lart situatën ekonomike dhe stabilitetin makrofiskal në Kosovë, ndërsa shprehu bindjen se trendi pozitiv i rritjes ekonomike në Kosovë, por edhe treguesit makrofiskalë, do të vazhdojnë të jenë në nivele të kënaqshme, në mënyrë që Kosova të vazhdojë në rrugën e progresit ekonomik dhe shoqëror.
Godst, ka ofruar gatishmërinë e Bankës Botërore për mbështetjen e Kosovës edhe në periudhën e ardhshme.
Copyright © 2014-2024 BQK. Të gjitha të drejtat e rezervuara