04/07/2016
Duke filluar nga data 1 korrik 2016, sistemi ekzistues i pagesave në BQK është zëvendësuar me sistemin e transferit automatik të projektuar sipas standardeve të fundit të fushës së sistemit të pagesave.
Implementimi i këtij sistemi është një ndër hapat kryesorë që BQK-ja ka ndërmarrë për forcimin e stabilitetit dhe rritjen e efikasitetit të sektorit financiar dhe atij bankar në veçanti.
Sistemi i ri ndërbankar i pagesave, i quajtur, ATS (Automatic Transfer System/Sistemi i Transferit Automatik) përbëhet nga dy komponentë kryesor: komponenti i RTGS-së (Real Time Gross Settlement/shlyerjet bruto ne kohe reale) i cili mundëson transferimin e fondeve në kohë reale, si dhe komponenti ACH (Automatic Clearing House/sistem automatik i kliringut) që bënë procesimin e pagesave në grup dhe me vlerë të vogël, në tri sesione të kliringut ndërbankar në BQK.
Sistemi i ri i pagesave është i projektuar sipas standardeve më të reja ndërkombëtare për fushën e sistemeve të pagesave (ISO 20022), sipas teknologjisë më bashkëkohore si dhe praktikave më të mira që e bënë Kosovën njërin ndër vendet e para që implementon këtë standard.
Implementimi i sistemit të ri ATS ka disa përparësi, siç janë: shlyerja e menjëhershme në kohë reale për pagesa me vlerë të madhe dhe atyre prioritare, krijimi i lehtësirave në procesim, rritjes së efikasitetit për menaxhimin e përditshëm të likuiditetit nga ana e vetë bankave, ulja e rrezikut në sistemin bankar dhe krijimi i një infrastrukture të qëndrueshme për inkurajimin e mëtejshëm të zhvillimeve të industrisë bankare dhe zhvillimit të tregjeve financiare.
Për realizimin e këtij projekti, BQK ka pasur ndihmën tekniko-financiare të Bankës Botërore, e cila ka inicuar dhe ndihmuar në zhvillim dhe implementim të projektit sipas Planit Strategjikë të BQK-së dhe Strategjisë së Zhvillimit të Sistemit Kombëtar të Pagesave në Kosovë.
Realizimi i projektit është gjithsesi rezultat i punës së ekipeve punuese dhe stafit të BQK-së, bankave komerciale, Thesari/Ministria e Financave si dhe institucioneve tjera pjesëmarrëse në sistem të pagesave.
Krahas implementimit të sistemit të ri të pagesave që nga 30 qershor, 2016 ka filluar edhe aplikimi i IBAN-it edhe për pagesat vendore që do të ndikojë në unifikimin dhe standardizimin e procesit të kontrollit të vlefshmërisë së llogarive bankare.
Fjalimi i Zëvendëskryetarit të Bordit të Shoqatës së Bankave në Kosovë