10/04/2018
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Fehmi Mehmeti, më datë 10 prill 2018 priti në takim përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare me seli në SHBA, të kryesuar nga Presidenti z. Nazar Mehmeti, Sekretari i Përgjithshëm z.Ismet Smajli dhe Drejtorin z.Naim Dedushaj. Guvernatori Mehmeti falënderoi delegacionin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në SHBA për interesimin e tyre në sistemin financiar në Kosovë dhe i informoi lidhur me zhvillimet e fundit, në sektorin financiar në Republikën e Kosovës dhe lidhur me treguesit e shëndetit financiarë. Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti theksoi kontributin e madh që diaspora shqiptare ka dhënë në të kaluarën dhe po vazhdon ta japë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, përfshirë këtu nevojën e madhe që të hyrat nga diaspora të transformohen nga konsumi në investime që do të kontribuonin direkt në zhvillim ekonomik të Kosovës.
Në takimin e zhvilluar u diskutua mundësia e investimit në sektorin bankar të Republikës së Kosovës, ku përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës nga SHBA shprehën gatishmërinë për fillimin e procedurave për hapjen e bankës së diasporës në Kosovë. Guvernatori Mehmeti mirëpriti një iniciativë të tillë dhe informoi përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare lidhur me kërkesat ligjore të BQK-së për licencimin e një banke.