Memorandum për bashkëpunim teknik ndërmjet BQK-së dhe Agjencionit për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional(MAPAS) nga Republika e Maqedonisë

26/11/2012

Shkup (Nëntor 26, 2012) – Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Nexhat Kryeziu dhe  Zëvendësdrejtori i Agjencionit për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS) Mentor Jakupi,  nënshkruan sot vazhdimin e memorandumit të bashkëpunimit me qëllim të shkëmbimit te përvojave dhe informacioneve në fushën e pensioneve.

Qëllimi i këtij Memorandumi është që të dy institucionet të shkëmbejnë informacione dhe përvoja me rëndësi si: shkëmbim të dokumenteve, përfshirë vendime, udhëzime dhe publikime, si dhe çfarëdo informacione të tjera në lidhje me aktivitetet e palëve, të vendeve të palëve kontraktuese; ndihmë bilaterale me qëllim shkëmbimin e përvojave nga interesi i përbashkët; bashkëpunim në fushën e edukimit, hulumtimit, trajnimeve dhe proceseve zhvillimore me interes të përbashkët.

Po ashtu, Agjencioni i Mbikëqyrjes së Maqedonisë shprehu gatishmërinë që të na ofrojë ndihmë në fushën e mbikëqyrjes së tregut të kapitalit dhe asistencën e nevojshëm për këtë fushë pasi që kjo mbetet si fushë e re për Bankën Qendrore të Kosovës.

Qëllimi i këtij Memorandumi është të formalizojë këtë marrëveshje në mes të dy institucioneve. Nënshkrimi i sotshëm i marrëveshjes bën që të dy palët të jenë të përkushtuara për arritjen e këtyre qëllimeve.