04/10/2024
Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore ka miratuar Udhëzimin për Standardizimin e QR Kodit, i cili do të përdoret për transaksionet e pagesave në Republikën e Kosovës.
Qëllimi i këtij udhëzimi është të përcaktojë rregullat dhe kërkesat teknike për zhvillimin dhe funksionimin e strukturës së QR kodit në Republikën e Kosovës, që do të përdoret për pagesat në shitjet me pakicë dhe për pagesat e faturave. Ai synon të promovojë përdorimin më të gjerë të pajisjeve digjitale dhe telefonave të mençur për kryerjen e pagesave, duke siguruar ndërveprim të qëndrueshëm dhe të sigurt midis ofruesve të shërbimeve dhe konsumatorëve.
Adoptimi i këtij standardi është pjesë e aktiviteteve dhe veprimeve të ndërmarra në fushën e pagesave, në kuadër të strategjisë së BQK-së për ndërtimin e një tregu modern dhe gjithëpërfshirës për pagesat me vlerë të vogël. Kjo përfshin edhe zhvillimin e kornizës ligjore dhe rregullative si dhe modernizimin e infrastrukturës, me qëllim sigurimin e një sistemi të sigurt, efikas dhe konkurrues për pagesat në vend.
BQK ka adoptuar standardin e përcaktuar nga Këshilli Evropian për Pagesa (EPC), i cili përfshin standardin e QR kodit që përdoret në BE për transferet e pagesave të iniciuara nga telefonat e mençur dhe për sistemet e pagesave të shpejta. Ky standard pritet të përdoret gjithashtu nga vendet e rajonit në kuadër të projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave të Vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Përdorimi i këtij standardi do të sjellë disa përparësi dhe përfitime, si:
Me këtë standard, Banka Qendrore synon që në Republikën e Kosovës, QR kodet të përdoren në mënyrë efikase për qëllime pagesash në sisteme dhe platforma të ndryshme, duke reduktuar fragmentimin e tyre. Për më tepër, adoptimi i standardit të QR kodit të Këshillit Evropian për Pagesa (EPC) synon të lehtësojë procesimin e pagesave jo vetëm brenda vendit, por edhe në nivel rajonal dhe në zonën SEPA, në përputhje me objektivat strategjike të BQK-së. Zbatimi i këtij standardi tani varet nga zhvillimet teknike dhe infrastruktura e nevojshme që ofruesit e shërbimeve të pagesave të licencuara në Kosovë do të vendosin në funksion.
Udhëzimin mund ta gjeni në linkun në vijim: Udhezim-per-standardin-e-QR-kodit_opt.pdf (env2.bqk-kos.org).