06/11/2014
Në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës u mbajt Forumi i 5-të me radhë për pronat në Kosovë, me temë “Tregu i Pronave dhe Kredive Hipotekare në Kosovë – Rritja dhe Progresi”, organizuar nga GIZ, Projekti Menaxhim i Tokës/Kadastër në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Pjesëmarrës në Forum ishin përfaqësues nga institucione vendore, të cilat në fokus të punës së tyre kanë fushat të cilat ndërlidhen me pronën. Drejtori i GIZ-it për Kosovën z.James Macbeth, hapi forumin duke njoftuar të pranishmit për objektivat dhe të arriturat e projekteve të GIZ-it në Kosovë. Pastaj, Udhëheqësi i Projektit Menaxhim i Tokës/Kadastër z.Guenther Fehlinger falënderoi të pranishmit dhe nënvizoi rëndësinë e përmirësimit të të dhënave kadastrale, si jetike në përmirësimin e sektorit të pronës. Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes Bankare, z.Mentor Geci, paraqiti aktivitetet e fundit rreth zhvillimit të kornizës ligjore për rregullimin e kredive hipotekare rezidenciale, si dhe aktivitetet e tjera për krijimin e një tregu adekuat për kreditë hipotekare në Kosovë. Po ashtu, u theksua që Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në kuadër të kompetencave ligjore është angazhuar dhe do të vazhdojë të angazhohet lidhur me krijimin e një ambienti legjislativ bashkëkohor, në funksion të përkrahjes së zhvillimit të sektorit bankar në veçanti dhe të ekonomisë së Kosovës në përgjithësi.
Anëtarët tjerë të panelit ishin z.Muhamet Krasniqi nga Zyra e Kryeministrit, z.Murat Meha nga Agjencioni Kadastral i Kosovës, si dhe z. Jakup Fetai, Zëvendësdrejtor i Agjencionit Kadastral të Maqedonisë dhe z.Ivan STOJANOVIC nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë, të cilët paraqitën rastin e Maqedonisë sa i përket të arriturave në fushën e regjistrimit, digjitalizimit dhe shpërndarjes së të dhënave, si dhe ndikimin e këtij zhvillimi në efikasitetin e tregut të kredive hipotekare në Maqedoni.
Forumi vazhdoi me prezantimin e z.William DONOVAN, Këshilltar nga Thesari Amerikan në Projektin për Financimin e Banimit të mbështetur nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave. Z. Donovan paraqiti punën e Projektit për Financimin e Banimit në krijimin dhe avancimin e infrastrukturës ligjore për lehtësimin dhe zhvillimin e tregut të kredive hipotekare për banim në Kosovë. Si rezultat i punës së këtij projekti sot është prezantuar edhe drafti final i rregullores për kreditë hipotekare për banim, e cila është në proces të finalizimit nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Kjo rregullore pritet që të vendosë disa rregulla të shëndosha për tërë procesin e lejimit dhe servisimit të kredive hipotekare për banim.
Gjithashtu, gjatë forumit është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, për të rritur bashkëpunimin e këtyre institucioneve financiare në këtë fushë.
Në fjalën përfundimtare të këtij Forumi, z.Guenther dhe z.Geci theksuan nevojën e bashkëpunimit të ndërsjellë institucional, si një parakusht në funksion të shtytjes së proceseve përpara, në konvergjencë të plotë me parimet ndërkombëtare të Bashkimit Evropian.