21/05/2024
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është bërë përfituese e programit për mësim dhe certifikim online për Tregjet e Kapitalit të ofruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), si pjesë e përkushtimit për avancimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale.
Programi do të përfshijë module për certifikim në fusha të ndryshme që ndërlidhen me fushëveprimin e BQK-së, si: Menaxhimi i Riskut, Menaxhimi i Mjeteve, Investimet, FinTech-u dhe ESG-ja (Mjedis, Sociale dhe Qeverisje), nga i cili do të përfitojnë 16 zyrtarë të BQK-së.
Në ceremoninë e lansimit të mbajtur në BQK, morën pjesë Guvernatori i BQK-së, Ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, si dhe Shefi i EBRD-së për Kosovë, të cilët mbajtën edhe fjalë rasti para pjesëmarrësve përfitues.
Guvernatori z. Ahmet Ismaili duke falënderuar EBRD-në për bashkëpunimin dhe mbështetjen, potencoi se ky aktivitet po zhvillohet në kuadër të zotimit për të avancuar kapacitetet njerëzore, menaxhimin e talentit brenda institucionit, si dhe në modernizimin dhe digjitalizimin e BQK-së, si pjesë e Planit Strategjik.
Ndërsa, Shefi i EBRD-së për Kosovë, z. Sergiy Maslichenko tha se ky program është vazhdimësi e përkrahjes së institucionit që ai drejton për Kosovën, në bashkëpunimit ndërmjet EBRD dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, si palë përfituese e programit, në fjalën falënderuese në këtë aktivitet lansues, Ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, z. Hekuran Murati u shpreh se ky projekt do të mundësojë që të kemi personel më të kualifikuar dhe do të kontribuojë në ndërtimin e kapaciteteve profesionale për zhvillimin e tregut financiar në kushtet aktuale.