Një delegacion i lartë i BQK-së vizitoi Autoritetin Rregullativ dhe Mbikëqyrës të Bankave të Turqisë – BRSA

25/10/2013

Më datë 24 tetor 2013 qëndroi për vzitë në Stamboll një delegacion i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) i përbërë nga z. Fehmi MEHMETI, zëvendësguvernator për Mbikëqyrje Financiare dhe z. Mentor GECI, drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes Bankare, të cilët u pritën në takime në  Autoritetin Rregullativ dhe Mbikëqyrës të Bankave (BRSA) të Turqisë.  Fillimisht   delegacioni nga BQK-ja u prit nga  z. Murat TURKER, zëvendësdrejtor i BRSA-së dhe më pas u pritën  edhe nga Departamenti i Mbikëqyrjes Bankare të BRSA-së.

Konform Marrëveshjes së Bashkëpunimit që ka BQK-ja me BRSA-në, në këto takime të zhvilluara u diskutuan çështjet e interesit të përbashkët, si ajo lidhur me zhvillimet e fundit në industritë bankare respektive, duke shtruar nevojën e dyanshme lidhur me intensifikimin e takimeve në mes dy institucioneve në frymën e bashkëpunimit më të përafërt në funksion të ruajtjes së stabilitetit bankar. Kjo edhe për faktin se dy nga nëntë bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë banka me origjinë turke. 

Po ashtu theks i veçantë gjatë takimeve të mbajtura në mes të delegacionit të BQK-së dhe BRSA-së ishte mbikëqyrja e konsoliduar si një prej sfidave aktuale në kontekst të rregullimit dhe mbikëqyrjes bankare. Bazuar në përvojën në lëminë e mbikëqyrjes bankare si dhe duke pasur parasysh sfidat e dekadës së fundit në sektorin bankar në Turqi, z. TURKAN shprehu gatishmërinë e lartë të institucionit që përfaqëson lidhur me përkrahjen e funksionit të mbikëqyrjes bankare të BQK-së në fushat specifike, gjë e cila u mirëprit nga delegacioni i BQK-së. 

Ndër konkluzat kryesore që dolën nga vizita në Turqi ishin : identifikimi i nevojave lidhur me ofrimin e ekspertizës dhe trajnimeve në fushat e caktuara të mbikëqyrjes bankare, bashkëpunimi më i ngushtë përmes organizimit të takimeve të përbashkëta periodike përfshirë nivelin teknik si dhe asistenca në fushën e ekzaminimit të sistemeve teknologjike në bankat komerciale, etj.