01/04/2011
Republika e Kosovës fillon pjesëmarrjen në Sistemin e Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshëm të FMN-së
Kumtesë për shtyp
Prill 1, 2011
Republika e Kosovës, filloi pjesëmarrjen në Sistemin e Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme (angl. General Data Dissemination System - GDDS ) të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) më 01. 04. 2011, duke bërë kështu një hap të madh në zhvillimin e sistemit të statistikave. Informacionet e plota për prodhimin e statistikave të Kosovës dhe praktikat e shpërndarjes tani janë të prezentuara në Faqen e Buletinit të Shpërndarjes së Standardeve (angl. Dissemination Standards Bulletin Board - DSBB) të FMN-së.
(http://dsbb.imf.org/Applications/web/gdds/gddscountrylist/).
Për të shënuar këtë ngjarje, Z. Gani Gërguri – Ushtrues Detyre i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, theksoi: “Kosova është e përkushtuar të përdorë Sistemin e Përgjithshëm të Shpërndarjes së të Dhënave si një kornizë të përgjithshme në avancimin e mëtutjeshëm të sistemit kombëtar të statistikave në pajtim me praktikat më të mira ndërkombëtare. Pjesëmarrja e Kosovës në GDDS poashtu do të çoj në prodhimin dhe shpërndarjen e statistikave më të sakta dhe më të besueshme”.
Znj. Adelheid Burgi-Schmelz, Drejtoreshë e Departamentit të Statistikave, e mirëpriti pjesëmarrjen e Kosovës në GDDS duke theksuar: “Pjesëmarrja e Kosovës në GDDS është një arritje e madhe në zhvillimin e statistikave të vendit. Jam e bindur që Kosova do të përfitoj nga përdorimi i GDDS-it si një kornizë për zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit të saj të statistikave.”
GDDS është themeluar nga FMN në vitin 1997. Ky sistem ofron një kornizë për të ndihmuar vendet që të zhvillojnë sistemet e tyre statistikore në podhimin e statistikave të plota e të sakta për bërjen e politikave dhe analizave. Kosova është anëtari i 98 i GDDS-it, duke përjashtuar vendet që janë avancuar nga GDDS-i në Standardin e Shpërndarjes së të Dhënave Speciale (angl. Special Data Dissemination Standard - SDDS).