Rritet bashkëpunimi regjional i BQK-së

15/12/2012

Guvernatori Gani Gërguri, krahas guvernatorëve të bankave qendrore nga Gjeorgjia, Moldavia, Bosnjë e Hercegovina , Maqedonia dhe Shqipëria, mori pjesë në takimin e Grupit Këshillëdhënës të Fondit Evropian për Evropën Juglindore i njohur me shkurtesën EFSE (European Fund for Southeast Europe) i cili u mbajt në Vjenë prej 13-14 dhjetor 2012. Krahas vlerësimit të performancës dhe aktiviteteve të EFSE-së për vitin 2012, anëtarët e Grupit Këshillëdhënës kanë diskutuar edhe mbi zhvillimet kyçe aktuale në Bashkimin Evropian me fokus në implikimet e tyre te mundshme për ekonomitë e Evropës Juglindore. Është vlerësuar lartë performanca e EFSE-së në menaxhimin e portfolios së saj aktualisht në vlerë prej 813 milionë euro dhe të shpërndarë në dhjetë shtete të Evropës Juglindore dhe në gjashtë shtetet të regjionit fqinj me Evropën.

Me këtë rast, Guvernatori Gërguri ka falënderuar kryesuesen e Bordit të Drejtorëve të EFSE-së, znj.Monika Beck për shumën e investuar të EFSE-së në ekonominë e Kosovës (31 milionë euro) si dhe përkrahjen e
këtij institucioni në realizimin e studimit mbi nivelin e mbingarkesës me kredi në sektorin financiar, pastaj projektet në zhvillim e sipër për mbështetje më të mirë të sektorit të bujqësisë si dhe për mbrojtje më të mirë të konsumatorëve.

Gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, Guvernatori Gërguri ka vizituar edhe Qendrën Këshillëdhënëse të Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore - qendër kjo e cila merret me çështjen e reformimit të raportimit
financiar si dhe me mbështetje profesionale në implementimin e projekteve që dalin nga vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare përfshirë edhe ato që vijnë direkt nga vetë shtetet e regjionit si rezultat i nevojave specifike të secilit vend.