Sqarim lidhur me artikullin “BQK-ja me fitime simbolike nga 800 milionë euro depozita në bankat e huaja”

15/07/2011

Sqarim lidhur me artikullin
“BQK-ja me fitime simbolike nga 800 milionë euro  depozita në bankat e huaja”
publikuar në Koha Ditore më 14 Korrik 2011, faqe 9.


Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, BQK-ja jep këtë sqarim lidhur me artikullin me titull “BQK-ja me fitime simbolike nga 800 milionë euro depozita në bankat e huaja” botuar më 14 korrik 2011, faqe 9:
Artikulli në fjalë ka keqinterpretuar të dhënat e publikuara nga Pasqyrat financiare të BQK-së, duke theksuar se “Depozitat në vlerë prej mbi 800 milionë euro të Bankës Qendrore, gjatë vitit të kaluar i kanë sjellë përfitim shtetit 619 mijë euro”.
Shuma prej 619 mijë euro paraqet interesin e përllogaritur( akrual) për plasmanët në tregun e parasë aktivë me datë 31 dhjetor 2010, ndërsa gjithsej interesi i përfituar nga plasmanët në tregun e parasë për vitin 2010 është 2 milionë e 813 mijë euro.
Duke ndjekur logjikën e njëjtë, artikulli në mënyrë jo të saktë interpreton edhe interesin e përfituar sipas bankave korrespondente.
Shfrytëzojmë këtë rast për të nënvizuar se gjithsej të ardhurat nga interesi (prej afatizimeve në tregun e parasë dhe investimeve në letrat me vlerë) për vitin 2010 kanë qenë 4 milionë e 574 mijë euro.

Drejtorati për marrëdhënie me jashtë