Sqarim për: Tarifat e sigurimit të detyrueshëm të auto-përgjegjësisë ndaj palëve të treta

17/01/2011

I.     Përcaktimi i tarifave të sigurimit në mënyrë administrative
E vetmja klasë e sigurimeve primet e së cilës, që nga viti 1999 janë përcaktuar  në mënyrë administrative nga ana e BPK-së (paraardhëse e BQK-së) ka qenë produkti i sigurimit të detyrueshëm të auto-përgjegjësisë.
Mbështetur në Urdhrin Administrativ nr. 06-20/2002  të BQK-së, të gjitha kompanitë e sigurimeve që ofrojnë sigurimin e detyrueshëm të auto-përgjegjësisë , kanë qenë të obliguara që të kenë tarifa unike të përcaktuara nga BPK, efektive nga data 1 korrik 2001, përderisa nuk jepet ndryshe nga BPK-ja me ndonjë direktivë tjetër. Të gjitha kompanitë e sigurimit që ofrojnë sigurim të detyrueshëm të auto-përgjegjësisë duhet të lëshojnë dhe ripërtërijnë policat e tyre të sigurimit të detyrueshëm të auto-përgjegjësisë duke aplikuar tarifat minimale të caktuara nga BQK-ja. Rrjedhimisht, bazuar në urdhrin e lartpërmendur, tarifat e sigurimit të detyrueshëm të auto-përgjegjësisë janë përcaktuar nga BQK-ja.
Përcaktimi dhe kontrollimi i limitit të primit të sigurimit të detyrueshëm në mënyrë administrative në periudhën e pasluftës, ka kërkuar një angazhim tejet të lartë kontrolli nga BQK-ja, gjë që ka rezultuar me një komoditet të kompanive të sigurimit  në aspektin e konkurrencës dhe pasivitet në shërbime kualitative të kompanive të sigurimeve.
II.     Liberalizmi i kontrolluar i tarifave të sigurimit të auto-përgjegjësisë
Nisur nga fakti se industria e sigurimeve çdo ditë po bëhet më e hapur, më e sofistifikuar dhe më konkurrente, BQK-ja u përcaktua që fillimisht të shkohet me liberalizim të kontrolluar të produktit të sigurimit të detyrueshëm të auto-përgjegjësisë. Rrjedhimisht, gjatë vitit 2008 pas një konsultimi të gjerë me industrinë e sigurimeve dhe në konsultim me institucionet relevante ndërkombëtare financiare, është filluar me liberalizim të kontrolluar të primeve të kësaj klase të sigurimeve.
Bazuar në Rregullën III të BQK-së, neni 8,  kompanitë e sigurimeve të licencuara nga BQK-ja në mënyrë të pavarur nga rregullatori i propozojnë tarifat e primeve për sigurimin e detyrueshëm të auto-përgjegjësisë, ndërsa aprovimin final të primit të propozuar e bën Drejtorati për Mbikëqyrje të Sigurimeve i BQK-së. Rrjedhimisht, kompanitë e sigurimeve e kanë shfrytëzuar të drejtën e aplikimit në BQK me propozim për tarifa të reja, ndërsa Drejtorati për Mbikëqyrje të Sigurimeve i BQK-së ka aprovuar tarifat e kompanive të sigurimeve pas shqyrtimit dhe analizimit të plotë të tyre gjithnjë duke respektuar njëkohësisht parimet bazë mbi tarifa të drejta, adekuate dhe jodiskriminuese.
Vlen të theksohet se kompanitë e sigurimeve kanë të drejtë të aplikojnë më së shumti dy herë brenda vitit (në qershor dhe në dhjetor) për ndryshimin e primeve,ndërsa BQK-ja brenda 30 ditësh vendos për aprovimin apo jo të tarifave të propozuara. Aktualisht, tarifat e sigurimeve të detyrueshme të auto-përgjegjësisë të kompanive të sigurimeve në Kosovë nuk janë tërësisht unike dhe dallojnë te grupet tarifore 4, 5 dhe 6. BQK-ja në mënyrë të vazhdueshme mbikëqyr procesin e liberalizimit të kontrolluar të tarifave proces i cili në parim nuk dallon shumë nga procesi i liberalizimit të plotë duke pasur parasysh se autoriteti mbikëqyrës si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin cakton një  kufi minimal të rezervës së primit.
III. Zhvillimet në proces
BQK-ja në bashkëpunim me asistencën teknike të ofruar nga institucionet relevante financiare ndërkombëtare, Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave si dhe industrinë e sigurimeve kanë përgatitur draft-ligjin mbi sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia,  draft-ligj i cili është dërguar në Kuvend për aprovim. Pritet që ky draft-ligj të konsolidojë dhe të avancojë më tutje bazën ligjore të tregut të sigurimeve të detyrueshme.
Në këtë vazhdë krahas rishikimit detal të Rregullores së sigurimeve 2001/25 që do të shërbejë si bazë për përgatitjen e Ligjit të përgjithshëm të sigurimeve , si dhe plotësimit të rregullave për industrinë e sigurimeve konform ligjit, BQK-ja është në proces edhe të vlerësimit të parimeve bazë të sigurimeve që do të rezultojë në  mbikëqyrje sa më efektive të kompanive të sigurimeve, gjithnjë në pajtim me parimet ndërkombëtare të sigurimeve të cilat janë relevante për nivelin e zhvillimit të industrisë së Kosovës.  
Në këtë drejtim BQK-ja është e përkushtuar që në bashkëpunim me kompanitë e sigurimeve dhe akterë të tjerë relevant dhe me interes për industrinë e sigurimeve përfshirë edhe asistencën teknike nga jashtë, të lëvizë në drejtim të liberalizimit të mëtejmë të industrisë së sigurimeve, liberalizim ky i cili do të jetë në favor si të policëmbajtësve ashtu edhe të qëndrueshmërisë së industrisë së sigurimeve në Kosovë.

Prishtinë, 17 janar 2011
Drejtorati për Mbikëqyrje të Sigurimeve