Sqarim

23/06/2010

Me qëllim të njoftimit të drejtë të opinionit publik ,lidhur me artikullin “ Task –Forca nis  me Hashim Rexhepin”, botuar në numrin e sotëm  të gazetës  tuaj ‘Zëri” më datë 23 qershor 2010, BQK-ja sqaron se Prokuroria Speciale e Kosovës është duke bërë hetimet lidhur me ish-Kompaninë e Sigurimeve “Kosova” , e cila  ishte vënë nën administrim ligjor në nëntor të vitit 2001 , ndërsa ishte likuiduar në shkurt të vitit 2002 nga ana e BPK-së , paraardhëse e BQK-së.
Me qëllim të sqarimit të rastit në fjalë , janë ftuar një numër i caktuar udhëheqësish të ish-BPK-së përfshirë edhe Guvernatorin e tashëm  të BQK-së , i cili në BPK është punësuar në fund të marsit të vitit 2003. Lidhur më rastin në fjalë , Guvernatori Rexhepi ka ofruar dokumentacionin  e asaj kohe si dhe ka dhënë sqarime rreth fakteve dhe procesit që i ka paraprirë vendimit  për likuidimin e kësaj Kompanie të Sigurimeve nga ana e Bordit drejtues të ish-BPK-së , sipas Rregullores së UNMIK-ut për sigurime , nr. 2001/25 si dhe Rregullores së BPK-së.
BQK-ja dhe Guvernatori i saj kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin transparent me publikun dhe pikërisht kjo është edhe arsyeja kryesore që adresojmë këtë sqarim për të eliminuar  çfarëdo konfuzioni që ka mundur të shkaktojë në opinion artikulli i lartpërmendur, i publikuar në gazetën ”Zëri”.

Prishtinë, 23 qershor 2010
Drejtorati për Marrëdhënie me  Jashtë
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës