Studim: Kostoja e Pagesave me Vlerë të Vogël në Kosovë dhe Kursimet e Mundshme

02/03/2022


Banka Qendrore ka realizuar studimin në vijim, me mbështetjen e Bankës Botërore në kuadër të Programit për Remitancat dhe Pagesat të financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO Remittances and Payments Program – RPP).

Ky studim është kryer sipas metodologjisë së hartuar nga Grupi i Bankës Botërore për Zhvillimin e Sistemeve të Pagesave - PSDG (Udhëzimi Praktik për Matjen e Kostove të Pagesave me Vlerë të Vogël), i realizuar edhe në vende tjera nga Grupi i Pagesave në kuadër të Bankës Botërore, i cili është vlerësuar efektivë në përpjekjet për zvogëlimin e përdorimit të parasë fizike dhe identifikimit të mundësive për reduktimin e kostove që mbart përdorimi i instrumenteve të pagesave në ekonomi.

Studimi është bazuar në të dhënat e anketave përmes pyetësorëve të administruar tek një mostër e përgatitur e ekonomive familjare dhe bizneseve, për pjesën e kërkesës, si dhe te Banka Qendrore, bankat komerciale dhe IFJB-të të cilat operojnë në Kosovë, për pjesën e ofertës. Ky studim paraqet një vlerësim të kostove financiare dhe atyre jo-financiare (kosto e kohës së shpenzuar për kryerjen e pagesave e konvertuar në terma financiar sipas metodologjisë në fjalë) të instrumenteve të ndryshme të pagesave, i cili mund të përdoret për një orientim më të mirë të aktiviteteve zhvillimore në fushën e pagesave drejtë ndryshimeve me ndikim më të lartë në rritjen e efikasitetit të shërbimeve të pagesave.

Rritja e efikasitetit që vjen nga zhvendosja drejt instrumenteve të pagesave të vogla me kosto më të ulët dhe një përdorim më e¬fikas i këtyre instrumenteve, mund të ofrojnë përf¬time të konsiderueshme për zhvillimin dhe rritjen ekonomike, përmes zvogëlimit të kostove të transaksioneve për shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve. Ulja e kostove të pagesave të vogla mund të përcillet edhe me zgjerimin e qasjes në pagesat elektronike te ekonomitë familjare me të ardhura më të ulëta dhe bizneset mikro dhe të vogla, duke përmirësuar kështu ef¬ikasitetin e sistemit kombëtar të pagesave, përderisa zgjerohet qasja në instrumente më bashkëkohore të pagesave.

Përtej identifikimit të kostove të larta që bart përdorimi i parasë së gatshme për ekonomin e vendit si tërësi, përfshirë këtu kostot për përdoruesit dhe për ofruesit e shërbimeve të pagesave, (rreth 2.7% e PBB-së), studimi synon të paraqes edhe kategoritë e kostove kryesore për secilin nga akterët ekonomik dhe mundësitë e kursimit përmes zëvendësimit të pagesave me para të gatshme dhe formave tjera të pagesave në formë fizike (kredit transferet në letër) me pagesat elektronike (kartelat, kredit transferet elektronike).

Kostoja e Pagesave me Vlerë të Vogël në Kosovë dhe Kursimet e Mundshme