15/07/2015
Në zyrat e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, zëvendësguvernatori për mbikëqyrje financiare z. Fehmi Mehmeti i shoqëruar nga Nexhat Miftari, drejtor i departamentit të mbikëqyrjes së sigurimeve dhe Berat Begu, pritën në një takim drejtorin menaxhues të Mbikëqyrjes së Sigurimeve dhe Pensioneve të Autoritetit të Tregut Financiar” të Austrisë (angl. Financial Market Authority - FMA) z. Peter Braumuller, i cili shoqërohej nga znj. Gudrun Wenth zyrtare e këtij institucioni për marrëdhënie ndërkombëtare dhe integrim evropian. Qëllimi i kësaj vizite në BQK, përveç tjerash, ka të bëjë me thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy institucioneve mbikëqyrëse, në fushën e sigurimeve dhe pensioneve.
Zëvendësguvernatori për mbikëqyrje financiare z Fehmi Mehmeti duke falënderuar përfaqësuesit e FMA-së bëri një prezantim të tregut financiar në përgjithësi dhe në veçanti atë të industrisë së sigurimeve në Kosovë. Ai i njoftoi mysafirët nga Austria, se BQK-ja është në fazën e kompletimit të kornizës ligjore për sigurime, duke i informuar përfaqësuesit e FMA-së lidhur me draft Ligjin për Sigurimet dhe legjislacionin sekondar, si dhe pajtueshmërinë e legjislacionit me Direktivat e Bashkimit Evropian. Njëkohësisht, mysafirët nga FMA-ja u njoftuan mbi performancën financiare të kompanive të sigurimeve me kapital austriak që operojnë në Kosovë, si dhe lidhur me proceset e tjera që po zhvillohen në BQK, që kanë të bëjnë me fushën e sigurimeve.
Në vazhdim u diskutuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit me Autoritetin e Tregut Financiar të Austrisë, respektivisht mundësinë e fillimit të procesit të nënshkrimit Memorandumit të Bashkëpunimit mes BQK-së dhe FMA-së në fushën e bankave, mundësia e organizimit të kolegjeve të përbashkëta mbikëqyrëse, ekzaminimeve të përbashkëta, si dhe mundësinë që FMA-ja të mbështesë BQK-në me manualet e saj të brendshme, me qëllim të përafrimit të mbikëqyrjes me praktikat evropiane, parimet dhe standardet bazë të shoqatës ndërkombëtare të mbikëqyrësve të sigurimeve.
Përfaqësuesit nga FMA-ja u zotuan se do të mbështesin BQK-në, përveç tjerash, në trajnimin e stafit, dhënien e udhëzimeve mbi mundësinë e zvogëlimit të mjeteve të pasiguruara, duke e ofruar përvojën austriake në këtë drejtim, si dhe organizimin e një takimi të përbashkët midis përfaqësuesve të BQK-së dhe FMA-së në vjeshtën e këtij viti në Vjenë. Gjithashtu, përfaqësuesit e FMA u zotuan se do mbështesin BQK-në në implementimin e Solvencës I si dhe në proceset integruese evropiane.