05/06/2014
Në vazhdën e nxitjes së investimeve të huaja në vend dhe rritjes së numrit të akterëve në sektorin financiar të Republikës së Kosovës, Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në takimin e mbajtur më 5 qershor 2014, miratoi licencën paraprake për themelimin e degës së bankës së huaj “T.C ZIRAAT Bankasi A.S”.
Kjo bankë, e cila selinë e saj e ka në Turqi është njëra ndër bankat më të mëdha në këtë vend dhe ka të shtrirë aktivitetin e saj në 16 vende të tjera të botës, duke përfshirë shumë shtete të Bashkimit Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asetet e tërësishme të kësaj banke janë rreth 100 miliardë dollarë amerikanë, që është një tregues domethënës për potencialin e kësaj banke. Kjo bankë operon në të gjitha segmentet e tregut, me një portofol të shumëllojshëm produktesh dhe shërbimesh, me shtrirje të theksuar në fushën e bujqësisë.
Hyrja në sektorin financiar të Republikës së Kosovës e një banke me aktivitet të përmasave botërore, përveç që do të luajë rol të rëndësishëm në rritjen e konkurrencës në sektorin bankar, njëkohësisht dëshmon stabilitetin dhe atraktivitetin e këtij sektori për investitorët e huaj. Në kohën kur tregjet bankare po ballafaqohen ende me probleme të natyrave të ndryshme dhe me largim të pjesëmarrësve, tregu financiar i Kosovës vazhdon të jetë atraktiv.
Me miratimin e kësaj licence, numri i pjesëmarrësve në sektorin bankar të Republikës së Kosovës arrin në dhjetë sosh.