U.D i Guvernatorit Fehmi Mehmeti konfirmon qëndrueshmërinë e sektorit bankar në Kosovë

06/10/2017

Ka përfunduar misioni vlerësues i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë. Gjatë kësaj vizite dhe nga takimet e zhvilluara me akterët e institucioneve finaciare të vendit është konfirmuar se Kosova ka një stabilitet financiar. Gjatë konferencës së sotme të mbajtur me mediat e vendit, Ushtruesi i Detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), z. Fehmi Mehmeti është shprehur se gjatë vizitave të këtij misioni të FMN-së në BQK dhe në vendin tonë, i ka informuar ata për gjendjen e sektorit bankar i cili është sektor stabil. Z.Mehmeti ka shtuar se :“Kreditë dhe depozitat janë rritur,gjithashtu edhe kreditë jopërformuse kanë rënie, të cilat aktualisht janë 3.9 për qind. Norma e interesit për kredi ka shënuar ulje, por në të ardhmen presim të kemi rënie më të madhe që të kemi edhe zhvillim ekonomik”. Ndërsa ,udhëheqësi i Misionit të FMN-së, Jacques Miniane ka potencuar se rritja ekonomike ka qenë e mirë në tremujorin e fundit. Si FMN i kanë rritur parashikimet për rritje ekomomike për këtë vit, por edhe për vitin e ardhshëm. Sipas tij “Rritja ekonomike ka qenë shumë e mirë për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Ndërsa sipas vlerësimeve të marra në terren këtë vit presim deficit prej 1.5% në buxhetin e vitit 2018. Më tej z.Miniane ka vlerësuar se fokus i tyre ka qenë që me buxhetin e vitit 2018, të respektohet rregulla fiskale. Sipas tij, ekonomia e Kosovës është me kapacitet të kufizuar financues, kurse buxheti duhet të bazohet në të hyra të besueshme tatimore dhe jotatimore. Sipas tij, shpenzimi për autostradën “Arbën Xhaferi” do të krijojë hapësira të reja për projektet e reja kapitale. Po ashtu para mediave në fjalën e tij, Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë mbi 2 miliardë euro. Ndër projektet që do të zhvillohen nga investimet në vitin e ardhshëm do të jenë investime në infrastrukturën hekurudhore si dhe në projekte të tjera të cilat do të kenë financim të sigurt”. Në fund Ministri Hamza konfirmoi se do të zhvillohen diskutime për të gjitha këto çështje në takimet e rregullta vjetore të FMN-së dhe të BB në Uashington me FMN-në.