13/08/2009
Sot më 12 gusht është mbajt takimi me përfaqësuesit e Autoritetit të Tregut Financiar (Financial Market Authority – FMA) dhe Bankës Kombëtare të Austrisë (Österreichische Nationalbank OeNB) me përfaqësuesit e BQK-së.
Bankën Kombëtare të Austrisë e përfaqësonte z. Philip Reading – Drejtor i Departamentit për Stabilitet Financiar dhe Inspektim Bankar ndërsa FMA-në e përfaqësonte Z. Michael Hysek – Drejtor Menaxhues i Departamentit të Mbikëqyrjes Bankare dhe Stephen Karas – Drejtues i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Integrime Evropiane.
Ashtu siç është paralajmëruar bosht i këtij takimi ishte bashkëpunimi në sektorin e mbikëqyrjes bankare si dhe ofrimi i ndërsjellë i informatave.
Fillimisht zv. guvernatori, z. Gani Gërguri falënderoi të pranishmit për vizitën e bërë BQK-së duke i njoftuar ata me detyrat, rolin dhe përgjegjësitë e BQK-së si dhe me sistemin financiar në përgjithësi. Ndërsa zv. guvernatori për Mbikëqyrje Financiare z. Nexhat Kryeziu pas falënderimeve për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të të dyja këtyre institucioneve financiare ofruar Kosovës, përshkroi shkurtimisht sistemin financiarë si dhe performancën e tij për vitin 2008 dhe gjysmën e parë të vitit 2009 duke u përqendruar në sistemin bankar por edhe tek institucionet tjera financiare siç janë: Kompanitë e Sigurimeve, institucionet Mikro Financiare, Këmbimoret, etj.
Në anën tjetër edhe z. Reading ishte gjithashtu falënderues për marrëdhëniet e deritanishme me institucionin më të lartë financiar të Kosovës duke shprehur gatishmërinë që edhe në të ardhmen përkushtimi i tyre të jetë në nivel të shtuar. Z. Reading, pasi dëgjoj mirëpritësit për situatën aktuale financiare të Kosovës, edhe vet përshkroi gjendjen e para-krizës globale dhe ndikimin e saj, për të ardhur edhe tek faza e ndikimit të saj në sistemin financiar të Austrisë e deri te masat shtetërore të ndërmarra si pako ndihmuese dhe lehtësuese për daljen nga kriza globale financiare për të përfunduar me përshkrimin e situatës së tanishme të quajtur faza e fillimit të daljes nga kriza.
Të pranishmit shprehën bindjen se bashkëpunimi i ndërsjellë përveç shkëmbimit të informatave duhet të rritet edhe në nivel të ekzaminimit të përbashkët të bankave austriake që veprojnë në Kosovën. Nënshkrimi formal i një marrveshje të tillë pritet të bëhet në tetor 2009 në Takimin e Mbikëqyrëseve për RZB Group të organizuar nga FMA dhe Banka Kombëtare e Austrisë.
Në fund të pranishmit shkëmbyen shumë materiale të institucioneve përkatëse si Raporti Vjetor 2008 i BQK-së, Raporti i Stabilitetit Financiar austriak etj.
Z. Kryeziu në të përcjell të delegacionit të Austrisë u dhuroj nga një dhuratë modeste përfaqësuesve të FMA-së dhe OeNB-së.