Zëvendësguvernatori i BQK-së, z. Fatmir Gashi, mori pjesë në Seminarin e 13-të bankar të organizuar nga Banka Qendrore e Malit të Zi, Banka e Sllovenisë dhe Universiteti i Lubjanës

21/09/2015

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Fatmir Gashi, mori pjesë në Seminarin e 13-të bankar me temën “Sfidat e Reja për Bankat dhe Kompanitë pas Krizës Financiare”, organizuar nga Banka Qendrore e Malit të Zi, Banka e Sllovenisë dhe Universiteti i Lubjanës. Në kuadër të këtij organizimi, ishin të pranishëm guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë nga bankat qendrore të rajonit, përfshirë Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë dhe Slloveninë.
Zëvendësguvernatori Gashi prezantoi të arriturat e sektorit bankar të Kosovës, duke potencuar përshpejtimin e rritjes së aktivitetit të këtij sektori gjatë periudhës së fundit dhe shkallën e lartë të qëndrueshmërisë që ka ky sektor. Zëvendësguvernatori Gashi diskutoi edhe rreth sfidave që e karakterizojnë ekonominë e Kosovës, ku theksoi nevojën për rritje më të lartë ekonomike si domosdoshmëri për rritjen e punësimit dhe përmirësimin e deficitit tregtar. Po ashtu, të pranishmit u njoftuan edhe rreth aktivitetit dhe të arriturave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në funksion të ruajtjes së stabilitetit dhe mbështetjes së zhvillimit të sektorit financiar dhe të ekonomisë së vendit në përgjithësi.